Serbët e Kosovës nuk i binden Qeverisë Kurti

Serbët e Kosovës nuk i binden Qeverisë Kurti

Qytetarët serbë të Kosovës e kanë raportuar vetëm një rast me COVID-19 në institucionet shëndetësore të vendit, pavarësisht nga fakti se janë të obliguar me ligj për raportimin e secilit rast të sëmundjeve ngjitëse.

Nga tri raste me infeksionin COVID-19, të cilat janë shënuar në komunat e banuara me shumicë serbe, vetëm një rast figuron në të dhënat e përgjithshme të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK).

Rasti në fjalë është testuar të hënën nga IKShPK-ja, ka thënë sot Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

“Ky rast figuron në të dhënat e përgjithshme të rasteve me Covid-19 që i raporton IKSHPK-ja. Tre rastet e tjera të cilat nuk janë raportuar zyrtarisht jo”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë të martën.

Dy rastet e tjera nga komuniteti serb i Kosovës janë shënuar në komunat e Leposaviqit dhe Graçanicës. Të dyja këto raste janë raportuar jo në Kosovë, por te institucionet në Serbi.

Sipas Qeverisë së Kosovës, rastet e tjera pozitive me koronavirus do të bëhen pjesë e të dhënave të përgjithshme kur për to, institucionet e komunave të banuara nga komuniteti serb t’i raportojnë zyrtarisht në Ministri të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë i ka bërë fajtore komunat me shumicë serbe për mos-informimin e Qeverisë së Kosovës për rastet pozitive me COVID-19.

“Autoritetet lokale që veprojnë në komunat me shumicë serbe, nuk po e informojnë Prishtinën zyrtare për rastet pozitive më koronavirus”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu, Ministria ka nënvizuar se as qytetarët nga zonat e banuara nga komunat me shumicë serbe nuk kanë kërkuar të testohen prej Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK).

“Të gjitha rastet që rezultojnë pozitive, IKSHPK i teston në kontaktet e tyre pas një periudhe të caktuar kohore, por në mungesë të të dhënave dhe raportimit deri më tash, nuk ka pasur asnjë kërkesë për testim në zonat e banuara nga komuniteti serb”, ka thënë Ministria.

Në Ligjin për Parandalimin e sëmundjeve ngjitëse thuhet se “mbikëqyrja dhe raportimi i sëmundjeve ngjitëse është obligim ligjor i të gjitha niveleve të sistemit të kujdesit shëndetësorë të Kosovës, duke filluar prej punkteve të mjekësisë familjare deri në nivelin tretësor”.

Por, Ministria e Shëndetësisë thotë se “është e drejtë e secilit qytetar që të trajtohet kudo që atij i duket e arsyeshme”.

Insajderi ka tentuar të marrë një sqarim nga IKShPK-ja për mosbindjen e qytetarëve serbë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, por drejtori i këtij instituti ka qenë i paçasshëm në telefon gjatë ditës së martë. /Insajderi.com