Serbia do t’i dhurojë Maqedonisë së Veriut mbi 8 mijë vaksina

Serbia do t’i dhurojë Maqedonisë së Veriut mbi 8 mijë vaksina

Serbia do t’i dhurojë Maqedonisë së Veriut mbi tetë mijë vaksina nga prodhuesi “Pfizer”,njofton Insajderi.

Këtë e ka bërë të dtur kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, i cili tha se ka pranuar ndihmën nga Serbia dhe se ka përshëndetur gjestin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili personalisht ia ka konfirmuar ndihmën.

“Ky është një akt serioz i miqësisë. Presidenti Vuçiq u lajmërua dhe tha se dëshirojnë të na dhurojnë vaksina. Ne jemi mirënjohës për këtë, por me si vend kemi para, do të paguajmë dhe ai na tha se do të na jep me çmimin e blerë. Tani do të vijojnë detajet mes ministrave të Shëndetësisë, ndërsa unë sot do të kem një bisedë edhe me kryeministren Ana Bërnabiq për detajet, transportin, regjistrimin, e dini se protokollet sillen nga agjencitë tona të barnave. Këtë tanimë po e punon ministria e shëndetësisë. Vaksinat e para do të jenë ashtu siç duhet, për heronjtë tanë, punonjësit shëndetësorë nga qendrat e Covidit”, thotë kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

Ndërkohë që, ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe dhe homologu i tij serb, Zllatibor Llonçar, në ditët në vijim do të merren vesh për detajet rreth procedurës për dërgesën e tetë mijë vaksinave nga prodhuesi “Pfizer” të cilat Serbia do t’ia japë shtetit fqinj njoftoi Ministria e Shëndetësisë e RVM-së.

“Simbol i kësaj krize shëndetësore është solidariteti, Ministria e Shëndetësisë falënderon Republikën e Serbisë dhe popullin serb për këtë akt miqësor. Procesi i furnizimit direkt me prodhuesin e njëjtë është në fazën finale. Sipas dinamikës së dakorduar, në shkurt përmes Pfizer do të arrijnë 5.850 doza të vaksinës, ndërsa nga 17.500 doza në mars dhe prill. Sistemi ynë shëndetësor është tërësisht i gatshëm për vaksinim”, potencojnë nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut. /Insajderi.com