Udhëheqësi i njësisë së Komisionit qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, thotë se Serbia e ka shtyrë afatin për hapjen e dokumenteve të arkivave të ish-ushtrisë jugosllave, ish-policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, transmeton Insajderi.
Në një intervistë televizive, Gara tha këtë shtyrje afati e ka quajtur skandal, pasi që 22 vjet pas luftës, informatat e klasifikuara do të duhej të ishin të qasshme për publikun.
“Kemi kërkuar një çasje të plotë në arkivat e ish-ushtrisë jugosllave, arkivat e ish-policisë dhe ministrisë së Brendshme. E për paradoks, e që është skandal, jo vetëm që nuk është lejuar çasja, përkundrazi Serbia së fundi ka proceduar edhe plotësim ndryshime të legjislacionit në fuqi, duke shtyrë afate të deklasifikimit të informacionit të klasifikuar, sepse 22 vjet pas luftës, informatat e klasifikuara, varësisht nga klasifikimi, do të duhej të jenë të qasshme për publikun. Serbia ka ndryshuar procedurat ligjore, duke shtyrë afatin e deklasifikimit”, ka thënë Gara në “Desk” të Kohës.
Nga ana tjetër, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se llogaritet që mbi 2,000 familje i kanë varrosur të afërmit e tyre pa analiza dhe pa autopsi.
“Kanë qenë 9 varreza prej të cilave 7 kanë qenë të cilat kanë rezultuar me gjetje pozitive. Më pas është hapur Petrosevo ku janë tërhequr 76 trupa, në Batanicë 740. Si qeska që i kemi tërhequr kanë qenë mbi 1035 qeska dhe pastaj ka rezultuar se për shkak të shkapërderdhjes së pjesëve të trupit janë bashkuar dhe ka dalë numri i gjithmbarshëm rreth 743. 22 vite pas ballafaqohemi me një numër të madh të familjeve të cilat nuk japinë dhe më tutje gjak për identifikimin e tyre. Del që mbi 2,000 familje i kanë varrosur të afërmit e tyre pa analiza dhe pa autopsi”, ka thënë Gerxhaliu.
Ai ka thënë se është duke u punuar në 5 lokacione të tjera, afër Novi Pazarit dhe tek një minierë.
“Kemi kontrolluar por normal kërkon edhe procedurën e lëshimit të urdhëresës prej Serbisë. Kemi edhe stagnim tani për arsye se kinse ne në anën tonë në Kosovë nuk jemi duke bërë asgjë, në njëfarë forme të reciprocitetit”, ka shtuar Gërxhaliu. /Insajderi.com