Serbia ia vazhdon mandatin “ambasadorit” të saj në Kosovë

Serbia ia vazhdon mandatin “ambasadorit” të saj në Kosovë

Qeveria e Serbisë sërish e ka emëruar për tre muaj Marko Gjuriqin ushtrues detyre të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Në këtë cilësi, nga tre muaj, ai ka kryesuar Zyrën për Kosovën tash gati katër vjet.

Me mandat tremujor janë emëruar edhe tre zëvendës të tij, Damjan Joviq, Dushan Kozarev dhe Zhelko Joviq, që po ashtu kanë qenë në këto funksione.

Bëhet e ditur se në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Zyrës për Kosovën dhe të zyrtarit për lidhje pranë misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Qeveria e Serbisë e ka emëruar sërish për tre muaj Dejan Paviqeviqin.

Ndërkaq ushtrues detyre të ndihmësit të tij, po për tre muaj, është emëruar Dushan Jovoviq, kurse gjenerali në pension Dragan Vlladisavleviq sërish është emëruar për tre muaj ushtrues detyre i pozitës së drejtorit të Zyrës për çështje koordinuese në procesin negociues me Prishtinën.

Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën ka tre zëvendës dhe gjashtë ndihmësdrejtorë.