Serbia ka organizuar në Kosovë pesë palë zgjedhje

Serbia ka organizuar në Kosovë pesë palë zgjedhje

Serbia kishte organizuar pesë palë zgjedhje në Kosovë dhe në këtë proces kishte asistuar OSBE-ja e cila kishte mbledhur kutitë e votimit.

Këto zgjedhje ishin lejuar që të organizoheshin në territorin e Kosovës nga ish-kryeministrat, Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti.

OSBE nëpërmjet një përgjigje me shkrim për Shqip.com ka deklaruar se këto zgjedhje ishin organizuar pasi kishte pasur një pëlqim ndërmjet palëve.

“OSBE, përmes misionit të saj, ka bërë mbledhjen e votave për zgjedhjet serbe në Kosovë në vitet 2012, 2014, 2016, 2017 dhe 2020, të mbështetur nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policia e Kosovës dhe KFOR-i”

“Megjithatë, kjo ka qenë gjithmonë e bazuar në marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet Prishtinës/Beogradit dhe pëlqimit të të gjitha institucioneve relevante për një operacion të tillë. Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të jetë i gatshëm për të kryer mbledhjen e votave me kusht që të plotësohet ky kusht”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë me arsyetimin se nuk ka marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të realizuar një gjë të tillë.

Ai ka kërkuar nga Serbia që të dërgojë një letër zyrtare ku kërkon nga Kosova lejimin e mbajtjeve të zgjedhjeve në vendbanimet me shumicë serbe.

Qeveria e Serbisë e ka refuzuar që të bëjë një gjë të tillë pasi ata konsideron se nisja e një kërkese të tillë nënkupton njohjen e shtetit të Kosovës. /Insajderi.com