Serbia kërkon lirimin e Mitroviqit, ka një kërkesë për komunitetin ndërkombëtar

Serbia kërkon lirimin e Mitroviqit, ka një kërkesë për komunitetin ndërkombëtar

Marko Gjuriq është shprehur i indinjuar me veprimin e autoriteteve kosovare për arrestimin e serbit Bogdan Mitroviq, të hënën në Suharekë, nën dyshimet për krime lufte.

Mitroviq është një serb i moshuar i zhvendosur nga Kosova në Serbi pasluftës, derisa u arrestua të hënën kur po e vizitonte pronën e tij në Kosovë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq u takua sot me familjarët e Mitroviqit. Gjatë takimit, Gjuriq u tha familjarëve se është duke kërkuar lirimin e Mitroviqit. Ai e quajti të pafajshëm të dyshuarin për krime lufte në Kosovë.

“Pse Filipi gjashtëvjeçar u desh ta shikonte gjyshin e tij, me duart prapa shpinës, duke u nxjerrë nga autobusi si një kriminel?”, pyeti Gjuriq.

Gjurqi kërkoi edhe reagimin e autoriteteve ndërkombëtare, njofton B92.

“Është koha që bashkësia ndërkombëtare dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë dhe Metohi të ndalojnë përndjekjen e tillë”, deklaroi Gjuriq.

“Bogdan Mitrovic ka gjashtë fëmijë e 24 nipër e mbesa, të cilët meritojnë që burri, babai dhe gjyshi të rikthehet tek ata”, u shpreh Gjuriq.

Mitroviqit i është caktuar një masë paraburgimi prej 30-ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë. /Insajderi.com