fbpx

Serbia liron nga burgu vrasësin e 14 civilëve shqiptarë nga Podujeva

Sasha Cvijetan ishte dënuar më 20 vjet burgim për masakrën e 28 marsit 1999 mbi civilët shqiptarë. Ai ishte pjesëtar i njësitit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë "Shkorpioni". Kjo njësi, pjesë e të cilës ishte Cvetan, ka pushkatuar në oborrin e familjes Gashi në Podujevë 14 civilë shqiptarë - shtatë fëmijë të moshës prej 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra.

Serbia liron nga burgu vrasësin e 14 civilëve shqiptarë nga Podujeva

Gjykata e Lartë në Beograd ka liruar nga burgu ish-pjesëtarin e njësisë “Shkorpioni”, Sasha Cvijetan i dënuar për vrasjen e 14 anëtarë të familjeve Bogujevci dhe Duriqi nga Podujeva.

Vendimin për lirimin e parakohshëm Gjykata e ka marrë më 8 mars të këtij viti, raporton Insajderi.

Cvijetan ishte dënuar më 20 vjet burgim për masakrën e 28 marsit 1999 mbi civilët shqiptarë. Ai ishte pjesëtar i njësitit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë “Shkorpioni”. Kjo njësi, pjesë e të cilës ishte Cvijetan, ka pushkatuar në oborrin e familjes Gashi në Podujevë 14 civilë shqiptarë – shtatë fëmijë të moshës prej 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra.

Shëtim Bogujevci (10), Shpend Bogujevci (13), Sale Bogujevci (39), Nora Bogujevci (15), Shefkat Bogujevci (43), Shehide Bogujevci (67), Nefise Bogujevci Llugaliu (54), Fezdrije Llugaliu (21), Dafina Duriqi (9), Arbera Duriqi (7), Mimoza Duriqi (4), Albina Duriqi (2), Fitnete Duriqi (36) dhe Isma Duriqi (69), ishin vrarë. Pushkatimit, me lëndime të rënda, i kishin mbijetuar pesë fëmijë – Saranda, Fatosi, Jehona, Lirije dhe Genc Bogujevci.

Për këtë krim në vitin 2005 para Gjykatë së Qarkur në Beograd u dënua Sasha Cvijetan, derisa në vitin 2010 janë dënuar edhe kryerësit tjerë të krimit në Podujevë – Dragan Borojeviq, Miodrag Sholaja dhe Dragan Mediq, dhe në vitin 2011, pas përsëritjes së procedurës, u dënua edhe Zheljko Gjuriq.

Sasha Cvjetan i ka kaluar në dy institucione korrektuese, në Mitrovicë të Sremit dhe në Beograd, gjithsej 16 vjet dhe 4 muaj. U lirua më 22 mars 2018, më shumë se tri vjet e gjysmë para përfundimit të dënimit , pasi që është aprovuar kërkesa e tij për lirim me kusht.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka njoftuar se arsyet për këtë vendim janë se Cvijetan i ka mbajtur 2/3 e dënimit, se procesi i risocializimit te ai ka përfunduar me sukses, gjegjësisht se pritet se Cvijetan do të sillet mirë në liri dhe se gjatë kohëzgjatjes së lirimit me kusht ai nuk do të kryej vepër të re penale.

Derisa ka qëndruar në Institutin korrektues në Mitrovicë të Sremit, Cvijetan, siç pretendohet në raportin e Qendrës Korrektuese Mitrovica e Sremit i cili është paraqitur si bazë për Gjykatën e Lartë për marrje të vendimit mbi lirimin në liri me kusht, ishte i angazhuar si kryepunëtor në brigadën e punës, dhe prej vitit 2017 gjendej në repartin gjysmë të hapur të Institutit korrektues, gjë që nënkupton shfrytëzimin e përparësive të daljes në qytet një apo dy herë në muaj, pushim vikendi çdo muaj në kohëzgjatje prej tri ditësh, si dhe shkuarje në pushim vjetor.

Gjatë kohës së mbajtjes së dënimit Cvijetan i “kryente detyrat e punës pa vërejtje”, dhe pretendohet se edhe sjellja e tij ishte “në përputhje me rregullat e rendit shtëpiak, se mbështetja e familjes primare dhe bashkëshortes jashtëmartesore ishte konstante, dhe se pas vuajtjes së dënimit i dënuari planifikon të punësohet”, dhe për këtë arsye, sipas mendimit të Institutit korrektues, Gjykata duhet ta pranojë kërkesën e Cvijetanit ta lirojë në liri me kusht.

Se Sasha Cvijetan gjatë vuajtjes së dënimit është risocializuar me sukses ka konfirmuar edhe Gjykata e Lartë në aktvendimin e saj duke konstatuar: “Në mënyrë të bazuar mund të pritet se i dënuari Cvjetan Sasha do të sillet mirë në liri, dhe sidomos derisa zgjatë lirimi me kusht dhe nuk do të kryej vepër tjetër penale”.

Qëndrimi i FDH është se Gjykata nuk ishte dashur të pranojë kërkesën e Cvjetanit dhe ta lirojë me kusht, si për shkak të peshës së veprës së kryer, ashtu edhe për shkak të pasojave të cilat ajo i ka prodhuar, për çka  ishte përndryshe edhe i dënuar në dënim maksimal me burg. Me lirimin me kusht, si dhe dhënien e privilegjeve të dënuarve për krime lufte gjatë qëndrimit në burg, institucionet e Republikës së Serbisë po e humbin kuptimin e gjykimeve për krime lufte dhe po e zvogëlojnë peshën e dënimeve të shqiptuara. Vetëm për të përkujtuar, pas vdekjes së Slobodan Mediqit më 31 dhjetor 2013 në një aksident trafiku, opinioni morri vesh se si ai ishte i dënuar në 20 vjet burgim për shkak të vrasjes së gjashtë boshnjakëve të kryera në verë të vitit 1995 në Tërnovo afër Srebrenicës, gjatë fatkeqësisë në kohën e festave të Vitit të Ri ai kishte qëndruar në liri të përkohshme./Insajderi.com