Eksperti amerikan i politikave ndërkombëtare, Daniel Serwer, ka thënë se vendet e Bashkimit Europian nuk do të lejojnë që Serbia të bëhet anëtare e BE-së pa zgjidhur çështjen me Kosovën e që është njohja e pavarësisë së saj, njofton Klan Kosova.
“Serbia duhet të kuptojë se, ose tani ose në të ardhmen, nuk ka asnjë shans për anëtarësim në BE, pa e pranuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, por de facto Serbia e ka njohur Kosovën me marrëveshjen e Brukselit, marrëveshje e nënshkruar nga Beogradi dhe Prishtina”, ka thënë Serwer për gazetën serbe Blic.
Ish-diplomati i Departamentit të Shtetit, i cili është shumë i informuar në lidhje me kushtet aktuale në shtetet e ish-Jugosllavisë, që tani është lektor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington tha se autoritetet serbe gabojnë në qoftë se mendojnë se procesi i anëtarësimit në BE do të përfundojnë më të mirë për Serbinë se sa skenari që ai parashikon.
“Në fund të procesit, Beogradi do të jetë nën presion të madh për të hequr të gjitha pengesat për anëtarësim, duke përfshirë edhe njohjen e Kosovës”. /Insajderi.com