Serbia thyen zotimin ndaj Grenellit, vazhdon fushatën kundër Kosovës nëpër botë

Serbia ka falënderuar Algjerinë për mos-njohjen e Kosovës.

Serbia thyen zotimin ndaj Grenellit, vazhdon fushatën kundër Kosovës nëpër botë

Zv-kryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka falënderuar Algjerinë për qëndrimin siç e ka quajtur ai “parimor” për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në një telefonat me ministrin e Punëve të Jashtme të Algjerisë, Sabri Bukadum, Daçiç shprehi konsideratë të lartë që Algjeria nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.

Kjo vjen një ditë pasi i dërguari special i Trump-it për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richardo Grenell ka shkruar në Twitter se ka marrë zotimin e Serbisë për ndaljen e fushatës ndërkombëtare kundër Kosovës dhe se Kosova do t’i ndalë përkohësisht përpjekjet për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Por, Serbia nuk e ka zbatuar këtë zotim për të cilin pretendon Grenell, pasi sot ka vazhduar me përpjekjet e saj ndërkombëtare kundër Kosovës.

Serbia kishte penguar Kosovën që të anëtarësohet nëpër organizata ndërkombëtare dhe kishte iniçuar disa çnjohje,  përkundër asaj se një nga marrëveshjet në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Bashkimi Europian ishte pikërisht marrëveshja që Serbia ta ndalë fushatën agresive kundër Kosovës nëpër botë. /Insajderi/