Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, është deklaruar rreth marrëveshjes për listë të përbashkët të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nismës “Guxo” të Vjosa Osmanit, për çka thotë se kjo marrëveshje bashkëpunimi sipas tij është një sjellje normale në një sistem parlamentar.
“Më duket sjellje normale në një sistem parlamentar. Asgjë e pazakontë”, ka thënë ai.
Serwer ka folur edhe për vendimin e institucioneve të Kosovës, që të mos e lejojnë të parin e VV-së të garojë në zgjedhjet e reja.
Sipas tij, vendimin për ndalimin e kandidimit, institucionet duhet ta marrin në përputhje me ligjin.
Serwer shprehet se nuk e di nëse VV-ja dhe Osmani do të fitojnë zgjedhjet nëse Kurtit i ndalohet kandidimi.
“Nuk e di. Ata mund të bëjnë më mirë nëse ai nuk lejohet të kandidojë. Por, institucionet e Kosovës duhet ta marrin këtë vendim në përputhje me ligjet dhe rregulloret e tyre”, ka thënë më tej ai për ‘Bota Sot’.
“Do të theksoja gjithashtu: nuk keni pse të jeni në karrigen e kryeministrit për të ushtruar ndikim vendimtar në vendimet e qeverisë. Në disa sisteme parlamentare udhëheqësit e partive janë më të fuqishëm se kryeministrat”, ka shtuar Daniel Serwer. /Insajderi.com