Serwer: Nuk pres marrëveshje të shpejtë midis Kosovës e Serbisë

Serwer: Nuk pres marrëveshje të shpejtë midis Kosovës e Serbisë

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, njëherësh profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Daniel Serwer, shprehet i bindur se një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë do të mund të arrihet, por nuk pret gjatë muajve të ardhshëm.

Në një intervistë për “VoA”, Serwer është shprehur se takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është sinjal pozitiv, por ka shtuar se “nuk është mirë që flasin në kontekste negative ndaj njëri-tjetrit”.

Ai ka theksuar se Vuçiq e ka bërë të qartë se s’është i gatshëm të ndërmarrë hapa sikur njohja e Kosovës, para zgjedhjeve presidenciale në Serbi, nga ana tjetër sipas tij, Kurti duhet të kërkojë dhe të pyes për përgjigje adekuate se çka pret ai nga e gjithë kjo.

Serwer thotë se shumë gjëra duhet të ndodhin deri te marrëveshja përfundimtare, duke iu referuar edhe që “Beogradi të njohë se e ka humbur sovranitetin mbi Kosovën”.

“Nuk pres që Beogradi do të menaxhojë ndonjëherë më me Kosovën. S’ka bisedime për këtë, por mendoj se ato mund të jenë shtete mike dhe shpresoj. Të mos ketë konflikte diplomatike apo ushtarake”, ka shtuar ai.

Të martën, Kurti e Vuçiq u takuan për herë të parë në krye të shteteve në Bruksel. Kosova paraqiti katër propozime, ndërsa palët nuk arritën pajtim për asgjë.

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të takimit, e konsideroi atë të vështirë. /Insajderi.com