fbpx

Sfida kryesore e gazetarëve kosovarë: Raportimi nën kërcënimin e dajakut

Në njërën anë, janë politikanë e biznesmenë të korruptuar dhe banditë që kërcënojnë e rrahin gazetarët, ndërsa në tjetrën, janë të emëruarit e tyre në polici e gjyqësor, që shpërfillin denoncimet e gazetarëve. Kjo situatë po tmerron gazetarët kosovarë. Shqetësimi rritet edhe nga tkurrja e pranisë ndërkombëtare që frikëson të korruptuarit që kanë vullnet të kërcënojnë e rrahin gazetarët. Insajderi ka realizuar intervista me shumicën e gazetarëve të Kosovës që kanë pasur përvoja të hidhura gjatë kryerjes së punës së tyre.

Sfida kryesore e gazetarëve kosovarë: Raportimi nën kërcënimin e dajakut

“Fakenews” apo “lajmet e rreme”, kanë qenë sfida e re me të cilën është përballur gazetaria në mbarë botën, duke vënë në pikëpyetje serioze vërtetësinë e lajmeve dhe duke i sfiduar gazetarët e vërtetë që të argumentojnë edhe më shumë raportimet e tyre.

“Fakenews” ka qenë temë debati edhe tek gazetarët kosovarë, por shumë prej tyre janë ballafaquar edhe me probleme bazike: të punojnë nën kërcënime dhe sulme direkte ndaj tyre.

Gazetarë të profileve të ndryshme janë përballur me kërcënime e sulme  ndaj tyre gjatë vitit 2017, duke e bërë këtë vit si më të rrezikshmin për gazetarët kosovarë në 5 vitet e fundit.

Grupe të ndryshme interesi dhe ekstremiste e deri tek politikanët, janë përfshirë në serinë e kërcënimeve, shantazheve dhe sulmeve ndaj  gazetarëve.

Kështu, Kosova është bërë njëri nga vendet më të pasigurta në rajon për gazetarët. Vetëm në vitin e kaluar (2017), kanë ndodhur 38 raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Kësisoj, përpjekjet e propaganduara të shtetit kosovar për disa vjet, për të krijuar një ambient të sigurt për gazetarët, rezultuan të pasuksesshme. Madje shteti në disa raste dështoi t’i gjente edhe sulmuesit e gazetarëve, ani pse fytyrat e tyre u publikuan nga kamerat, sikurse në rastin e sulmit ndaj drejtorit të Gazetës Insajderi, Parim Olluri. Në rastin e Ollurit, shteti përfundoi duke i ofruar armë, si mundësi për ta mbrojtur veten.

Një gjendje e tillë e pasigurt për gazetarët nuk mbizotëronte edhe viteve të kaluara. Të dhënat nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) për vitin 2016 flasin për 12 raste të kërcënimeve dhe sulmeve, kurse në vitin 2015 Asociacioni kishte regjistruar 15 raste, duke përfshirë kërcënimet, sulmet fizike, frikësimet dhe dëmtim të pronës.

Këto shifra u dyfishuan gjatë vitit 2017, teksa në vitin 2013 nuk ishte regjistruar asnjë rast i kërcënimit ose dhunës ndaj gazetarëve.

Gazetarët e kërcënuar dhe të sulmuar, bashkë me ata që kanë përvojë të gjatë në gazetari, japin shpjegime të ndryshme sesi dhuna ndaj gazetarëve është shndërruar në diçka të zakonshme.

Përvojat e hidhura të gazetarëve të kërcënuar

Rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve janë të ndryshme. Disa kërcënohen gjatë raportimeve në terren e disa kërcënohen për shkrimet e tyre hulumtuese.

Gazetarët e lidhin rritjen e numrit të kërcënimeve dhe sulmeve me mungesën e profesionalizmit të institucioneve të sigurisë dhe legjislacionit, siç është Policia, Prokuroria dhe Gjykata.

Për drejtorin e Gazetës Express, Berat Buzhala, zbehja e prezencës dhe ndikimit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë është duke e rritur presionin dhe kërcënimin ndaj gazetarëve.

Ai thotë se pas luftës gazetarët kanë pasur imunitet të pashkruar, ngase puna dhe aktiviteti i tyre ka qenë i siguruar nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

“Sa më e pavarur që është bërë Kosova, aq më shumë ka pasur presion që mediet të bëhen të varura. Një gjë e tillë pritet vetëm të eskalojë në vitet në vijim”, thotë Buzhala.

Për Buzhalën, dy grupimet që ndikojnë në masën më të madhe në rolin e medieve janë politikanët dhe bizneset. Sipas tij, këto dy grupe bashkërendojnë veprimet kundër gazetarëve.

Rrezik dhe pasiguri sheh edhe gazetarja Arbana Xharra, aktualisht pjesë e kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Xharra thotë se, që nga fillimi i punës së saj si gazetare në vitin 2000, është kërcënuar në forma të ndryshme.

Ajo tregon se kërcënimet të cilat i ka pasur nisin nga thirrjet telefonike, përcjellja me veturë e deri tek kërcënimi me padi nga njerëz që kanë fuqi financiare dhe politike.

“Në vitin 2012 vendosa të merrem më shumë me shtrirjen e radikalizmit fetar. Pas publikimit të hulumtimit të parë me këtë temë, në dhjetor të 2012-ës, kanë nisë etiketimet si ‘islamofobe’. Kam nënvlerësuar rrezikun duke besuar se kërcënimet përfundojnë me mesazhe në Facebook. Pas disa viteve raportim në këtë fushë, vjet, në mars mora kërcënimin e parë serioz me vizatimin e kryqeve në derë të shtëpisë”, tregon Xharra.

Ajo thotë se në rastet e saj nuk ka pasur ndëshkime, përveç reagimit të organizatave të huaja për mbrojtjen e gazetarëve “Reported Without Borders”, Freedom House etj.

Po ashtu, edhe gazetari Zekirja Shabani, i cili ka qenë edhe kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tregon se është kërcënuar edhe nga kolegë të tij dhe pronarë kompanish të mëdha.

“Nga pronari i kompanisë Al Petrol, në të cilin rast është ngritur aktakuzë, dhe një tjetër që ende është në sirtarë të prokurorisë, ndoshta edhe në fillim të hetimeve për çfarë askush nuk më ka njoftuar. Përveç kësaj, jam sulmuar fizikisht nga drejtuesi i Gazetës Tribuna, Sejdi Demiri, por asnjëherë nuk jam thirrur nga policia apo prokuroria pavarësisht se këtë e kam denoncuar”, tregon Shabani.

Ndërsa për gazetarin e “Kallxo.com”, Taulant Osmani, i cili tash e tri vjet bën punën e gazetarit, ky profesion i ka kushtuar me sulm fizik në vitin 2017, gjatë raportimit të tij në terren.

Ai u sulmua nga disa qytetarë teksa raportonte nga një protestë, ku po e përcillte një diskutim ndërmjet dy personave në sheshin e Gjilanit.

Osmani thotë se “kjo ka qenë presion për mua, kam qenë i shqetësuar si unë ashtu edhe familja, por edhe kolegët e mi”.

Disa të tjerë janë kërcënuar pas raportimeve të ndryshme që kanë bërë, sikurse rasti i gazetares së gazetës “Koha Ditore”, Salie Osmankaq. Ajo u kërcënua nga “uzurpatorët” e banesave në lagjen “Dardania”, në Prishtinë.

“Kërcënimet, shantazhet dhe presionet janë bërë pjesë e punës së përditshme të gazetarëve në Kosovë. Aq sa tani neve na është kthyer edhe në ‘normalitet’ një gjë e këtillë”, thotë Osmankaq.

Ajo tregon se shpesh i është dashur edhe të kufizojë lëvizjen për shkak të kërcënimeve që i janë bërë, ndërsa thotë se shpesh rastet e saj nuk i ka bërë publike dhe nuk i ka raportuar në polici.

Kur shteti nuk i dënon kërcënuesit dhe sulmuesit e gazetarëve

Problemet e gazetarëve nuk mbarojnë me kërcënimet dhe dhunën ndaj tyre. Ata vazhdojnë të ndihen të pasigurt edhe pasi rastet i lajmërojnë në polici.

Teksa Buzhala thotë se në dy raste të kërcënimeve ndaj tij kërcënuesit janë arrestuar dhe dënuar, për gazetarin hulumtues, Visar Duriqi, edhe pse i ka paraqitur rastet e tij në Policinë e Kosovës, policia nuk ka arrestuar asnjë person të dyshuar.

Për ta zhvilluar profesionin e gazetarit në Kosovë, për Duriqin nënkupton një jetesë të pasigurt njësoj sikur autobusi që nuk është e sigurt që mund të vijë në kohë të duhur.

Duriqi thotë se kërcënimet që i vijnë janë nga persona privat të cilët kryesisht janë biznesmenë, xhihadistë, persona të cilët janë të prekur nga raportimet e tij. Ai shton se, së fundmi, pjesën më të madhe të kërcënimeve as që i raporton tek organet, siç është policia.

Ndërsa për gazetarin, Vullnet Krasniqi, autor i medias së parë satirike në Kosovë, “Kukunews”, policia nuk i merr parasysh fare raportimet të cilat ai i bën.

“Që prej shkurtit të 2015 kur ka nisur të funksionoj gazeta satirike online kukunews.net, audienca kosovare është sfiduar nga vija e hollë që ndan të vërtetën dhe të pavërtetën në lajmet e shumicës së medieve në Kosovë”, tregon Krasniqi.

Ai thotë se kur “Kukunews” ka thumbuar dikë, ndonjë ngjarje apo fenomen, fyerjet dhe gjuha e egër ndaj tij ka ditur të shpërthej duke e kërcënuar edhe me sulme direkte të platformës së Kukunews në internet dhe Facebook.

“Më shumë sesa sulmet ndaj një faqe satirike, shqetësuese është fakti që Policia e Kosovës nuk ka bërë asgjë përkundër paraqitjes të rasteve të sulmeve, edhe pse sulmuesit dalin hapur duke marrë përgjegjësinë për sulmin e Kukunews”, thotë Krasniqi, duke shtuar se “asnjë informacion nuk e ka marrë nga policia.

“Përtej sulmeve, po vitin e kaluar, persona të panjohur, natën midis Sheshit më ndalin dhe kërcënojnë që të mos shkruaj, që të mos thumboj. Një qasje e tillë sulmuese ekziston ndaj satirës në Kosovë”, thotë Krasniqi.

Por gazetarët, përpos që u sulmuan nga grupe të interesave jo politike, ata u ofenduan edhe nga politikanë.

Gazetarët u ofenduan edhe nga kryeministri e u kërcënuan nga rojet e politikanëve

Kur kryeministri Ramush Haradinaj bëri një ndër paraqitjet e para mediale, e nisi me një gjuhë fyese ndaj gazetarëve.

Gazetarja Kaltrina Zymberi është ofenduar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundi i dha leksione cinike gazetares që të mësojë më mirë gjuhën angleze.

“Ofendimi ka qenë më shumë kolektiv sesa ndaj meje personalisht”, thotë Zymberi.

Gazetarja Zymberi thotë se qasja e politikanëve ndaj gazetarëve është arrogante dhe jo transparente. Ajo tregon se shpesh ka marrë edhe përgjigje të cilat kanë qenë të pakuptimta por edhe kanë folur çfarë kanë dashur të flasin vetë, pavarësisht pyetjeve ndaj tyre.

E kërcënimet ndaj gazetarëve kanë shkuar deri në atë pikë ku janë kërcënuar edhe me jetë. Kushtrim Kadriu, gazetar i KTV-së, në korrik të vitit 2017 është kërcënuar me jetë pasi kishte raportuar për rastin e Mirije Berishës të cilës i mohohej e drejta e pronës nga kunetërit e saj.

“Një ditë pas transmetimit të kronikës, Miftar Berisha, kunati i Mirije Berishës ka thirrë në redaksi të KTV-së dhe ka kërkuar që unë të mos raportojë për këtë rast. Ai ka kërcënuar se nëse edhe një herë raportoj, le ta ruaj kokën  e vet”, tregon Kadriu.

Kadriu thotë se këtë rast e ka paraqitur në Policinë e Kosovës dhe pas dy muajsh Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Miftar Berishës. Mirëpo, Kadriu thotë se, që nga shtatori kur është ngritur aktakuzë ndaj Berishës nuk është mbajtur asnjë seancë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë ndodhin edhe në vendin ku flitet kundër dhunës, kundër cenimit të lirisë së shprehjes, pra në hollin e Kuvendit të Kosovës. Rasti i tillë ka ndodhur ndaj gazetarit të “Gazeta Express”, Mentor Gjergjaj.

Gjergjaj u kërcënua nga truproja i zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj natën kur Kuvendi i Kosovës u mundua të mbajë seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale.

Ai tregon se gjatë kohës sa ishte duke e fotografuar zëvendëskryeministrin Limaj, i cili po shkonte në takim me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, ka dëgjuar një ton të lartë duke bërtitur në drejtim të tij, duke e “urdhëruar” të mos incizojë, teksa në atë moment truproja i zv.kryeminstrit Limaj, Shpëtim Telaku e ka kapur për krahu.

“Ai vazhdonte të provonte që më dhunë të ma merrte telefonin nga dora. I kam thënë që jam gazetar dhe ia kam kujtuar se nuk guxon të ndodhë një veprim i tillë, duke ia shfaqur edhe ID-kartelën e punës. Mirëpo, i njëjti në mënyrë kërcënuese me thoshte ta hapja telefonin dhe t’i fshija fotografitë dhe incizimet”, tregon Gjergjaj.

Gjergjaj thotë se rastin ende nuk e ka raportuar në polici, por vetëm në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, duke i sugjeruar që të ketë kujdes gjatë qëndrimit në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarët shtetërorë nuk posedojnë të dhëna që shpërfaqin suksese të mëdha. Po ashtu kanë të dhëna të ndryshme në krahasim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), ani pse thonë se janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me ta.

Teksa pohojnë se angazhimi që kanë bërë për sigurinë e gazetarëve është për t’u krenuar, Besim Kelmendi, prokuror në Prokurorinë e Shtetit, thotë se kjo dhunë ndaj gazetarëve është shumë shqetësuese.

Kelmendi thotë se është në kontakt edhe me gazetarët të cilët janë të dëmtuar, në mënyrë që t’i mbështesin në rast se kanë nevojë për ndihmën e tyre.

“Konsideroj se nga momenti kur janë caktuar koordinatorët për rastet e dhunës ndaj gazetarëve, ka ndryshuar në tërësi trajtimi i këtyre rasteve. Nga prokurorët që i kryejnë hetimet janë kryer veprimet hetimore shumë më shpejtë dhe për këtë ka pasur edhe rezultate konkrete për disa raste”, thotë Kelmendi.

Ndërsa për Petrit Çollakun nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ky vit ka qenë një nga vitet ku gazetarët hulumtues kanë qenë cak i sulmeve fizike.

“Një çështje që preokupon Asociacionin tonë është mosndëshkimi i sulmuesve dhe kërcënuesve të gazetarëve. Po ashtu, është vërejtur se në disa raste dënimet kundër kryerësve të krimit ndaj gazetarëve janë ose me kusht ose me gjobë”, thotë Çollaku.

Çollaku thotë se kanë kërkuar nga policia që në hetimet e tyre në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të zgjerohen hetimet kundër zinxhirit të plotë në sulme, që përfshinë nxitësit, organizatorët dhe kryerësit e krimit. Ai thotë se kjo kërkesë nuk është përfillur asnjëherë nga Policia e Kosovës.

Ndërsa Policia e Kosovës thotë se është e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarët duke përfshirë gazetarët është prioritet i tyre.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës shprehet se “PK-ja, ka ndërmarrë dhe në vazhdimësi po ndërmerr veprimet e saj në pajtim me autorizimet ligjore që ka për të parandaluar rastet e tilla”.

Sipas Policisë së Kosovës,  gjatë vitit 2017, deri në këtë periudhë dhjetëmujore, janë raportuar rreth 23 raste. Të dhënat e AGK-së për vitin 2017 japin tjetër pasqyrë. AGK thotë se janë regjistruar 38 raste të sulmeve ndaj gazetarëve.

E për gazetarët puna e Prokurorisë dhe Gjykatave nuk është për t’u krenuar.

“Sferat ku ne jemi të ekspozuara janë gjykatat e korruptuara që në raste padish mund të vendosin padrejtësisht në anë të kompanive private e kundër nesh, dhe më e keqja: ekspozimi para pronarëve të mediave që për shuma të konsiderueshme parash mund të vendosin qëndrimin e tyre në favor të të tjerëve dhe jo në favor të gazetarëve të tyre”, thotë Duriqi.

E për profesorin e Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Berisha, shteti duhet të punojë më shumë në plotësimin e legjislacionit, që rastet e gazetarëve të mos mbesin vakuume.

Veprimet që duhen marrë për sigurinë e gazetarëve

Për njohës të çështjeve të gazetarëve, politikanët janë një nga nxitësit kryesorë të dhunës ndaj gazetarëve. Përveç kësaj, problemi tjetër qëndron se prokurorët dhe gjyqtarët nuk i marrin për seriozisht raportimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

“Politikanët me deklaratat e tyre se kinse gazetarët janë spiunë serbë, të pashkollë dhe akuza të tjera, kanë krijuar ambient të rrezikshëm për gazetarët. Përtej që tentojnë të zvogëlojnë kredibilitetin e mediave në publik (ashtu që publiku të mos i besojë raportimet kundër tyre), me deklaratat e tyre ata nxisin edhe dhunë”, ka thënë Flutura Kusari, juriste për të drejtën e medieve.

Po ashtu, Kusari thotë se policët dhe prokurorët kanë mungesë bazike të njohurive për parimet kryesore të lirisë së medieve.

“Ata nuk bëjnë hetime profesionale dhe nuk i mbajnë të informuar gazetarët për rezultatet e hetimeve”, thotë Flutura Kusari.

Kurse për gazetarin që merret me fushën e “drejtësisë”, Betim Musliu, i cili është drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, si aspekt deri diku pozitiv për ushtrimin e profesionit të gazetarit mund të vlerësohet siguria juridike dhe fizike në aspektin formal.

Musliu thotë se problemet më të mëdha janë në zbatimin e këtyre dispozitave ligjore në praktikë.

“Kjo paraqet aspektin negativ, ngase institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë vazhdojnë të jenë të brishta për shkak të kapjes nga politika dhe grupet e interesit dhe grupet kriminale joformale”, vlerëson Musliu.

“Sfidë tjetër në aspektin e sigurisë juridike është zhvillimi i procedurave hetimore ndaj gazetarëve në kundërshtim të plotë me legjislacionin pozitiv, sidomos Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë”, shton Musliu.

Ai thotë se disa prokurorë që janë në sistemin prokurorial, janë të dështuar në aspektin profesional dhe në integritetin e tyre, të cilët dështimet tentojnë t’i fshehin përmes tentimeve për të zbuluar burimet e gazetarëve.

Musliu flet edhe për përvojën personale kur është kërcënuar, kurse shteti ka dështuar ta përfundojë rastin e tij.

“Kur jam kërcënuar rëndë dhe ndaj kërcënuesit prokuroria ka ngritur aktakuzë dhe në fund gjykata e ka dënuar me 300 euro gjobë, i cili dënim nuk ka arritur të ekzekutohet, sepse ka arritur afati i parashkrimit absolut për ekzekutimin e dënimit”, tregon Musliu, teksa vazhdon të thotë se kjo tregon se është
dështim i organeve të drejtësisë.

Ndërsa për avokatin Arianit Koci, pa media të lira, të pavarura dhe objektive, nuk mund të kemi shoqëri demokratike e cila synon realizimin e të drejtave të njeriut.

Ai thotë se dhuna ndaj gazetarëve në Kosovë është në rritje. Koci thotë se janë sulmuar fizikisht disa gazetarë dhe kryesit e këtyre veprave penale nuk janë gjetur. Sipas tij, gazetarëve po u mohohet e drejta në lirinë e të shprehurit, në lirinë e kritikës së personave publikë, lirinë e qasjes në  informata, dhe lirinë në punë të dinjitetshme.

Koci thotë se duhet shtytur institucionet kompetente, që në mënyrë të vendosur t’i përdorin mekanizmat shtetërorë dhe mjetet juridikisht efikase për mbrojtjen e gazetarëve.

“Liria e mediave thuhet se është ‘nëna e të gjitha lirive’, prandaj nëse nuk ka ambient të sigurt për punën e  gazetarëve, qytetarët nuk mund t’i realizojnë të drejtat tjera”, thotë Koci.

Ndërsa për Petrit Çollakun, institucionet e sigurisë kanë përmirësuar sigurinë e gazetarëve.

“Në të vërtetë, disa ndryshime për të mirë kanë ndodhur në institucionet tona të sigurisë dhe drejtësisë, si në prokurori, gjykata dhe polici. Tek këto institucione janë krijuar disa mekanizma që mëtojnë për një përmirësim të sigurisë së gazetarëve”, shprehet Çollaku.

Por për dallim nga mendimi i Çollakut, Kusari thotë se “gjykatat në Kosovë gabimisht i trajtojnë krimet ndaj gazetarëve si krime të lehta, që është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”.

Ndërsa për Qerim Ondozin, zyrtar për media në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, rastet e sulmeve ndaj gazetarëve janë duke e ngulfatur fjalën e lirë.

“Institucionet e Kosovës, sidomos gjykatat dhe prokuroritë, duhet t’i trajtojnë me prioritet të lartë rastet që kanë të bëjnë me kërcënimin e sigurisë së gazetarëve. Me këtë veprim, edhe do ta luftonin krimin, edhe do t’i jepnin zemër gazetarëve që të mos heqin dorë nga përpjekjet e tyre që e vërteta të dalë në shesh”, thotë Ondozi.

Ndërsa për profesorin e Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, Rrahman Paçarizi, misioni i gazetarit përmban në vete një rrezik.

Paçarizi thotë se në shoqëritë tona të cilat janë në tranzicion, janë në procesin e krijimit të atyre që i quajnë elita edhe ato janë të kriminalizuar, prandaj të shkruarit për to është kërcënim real për gazetarin dhe gazetarinë.

“Në shoqëritë ku nuk funksionon sistemi i drejtësisë, gazetarët kryejnë detyrën e tyre si pjesë e misionit për nxjerrjen e të vërtetës. Prandaj, jo vetëm që janë të rrezikuar, por edhe të pambrojtur nga sistemi, të cilit, në njëfarë mënyre, ia prishin rehatinë dhe ia rrezikojnë privilegjet”, thotë Paqarizi.

Ndërsa shqetësuese për të mbetet heshtja e publikut me rastin e sulmeve ndaj gazetarëve kur gazetarët në fakt janë pikërisht në shërbim të atij publiku.

E dhuna ndaj gazetarëve për profesorin Ibrahim Berisha ndodh vetëm në sistemet autoritare dhe është mjeti i fundit që përdoret.

“Liria e shprehjes dhe mundësia për të hulumtuar, gjetur dhe plasuar të vërteta, ka krijuar probleme jo të vogla për gazetarët dhe mediet. Kosova që është në një proces tranzicioni, ku të vërtetat shpesh mund të jenë kala të mbrojtura pa zgjedhur mjete, veçmas nga pushtetarët dhe oligarkët,  rrezikon punën e gazetarëve po edhe të medies”, shprehet Berisha.

Ndërsa ish-drejtuesi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës,  Arben Ahmeti, thotë se gjatë kohës së fundit kemi qenë dëshmitarë të fushatave të ndryshme linçuese e denigruese për gazetarët, përfshirë edhe sulmet fizike.

“Ky është vetëm një aspekt që po e sulmon dhe po e bënë gjithnjë më të parëndësishme dhe pafavorshme kauzën e gazetarisë”, thotë Ahmeti, i cili tash është njëri prej drejtuesve të TV Dukagjinit.

Ndër tjerash ai tregon se “një mënyrë tjetër se si po sulmohet gazetaria është numri i madh i medieve te të gjitha llojeve, duke bërë që vetëm ato që janë të afërta me grupe të interesit të kenë qëndrueshmëri financiare”.

Kësisoj gazetarët kosovarë hyjnë në vitin 2018 me një nivel të njëjtë të pasigurisë dhe veprimeve të shtetit për të gjetur e dënuar kërcënuesit dhe sulmuesit e medieve.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian përmes skemës së granteve të vogla “Mbrojtja e Lirisë së Mediave dhe Lirisë së Shprehjes në Ballkanin Perëndimor” zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve Kroat, si pjesë e projektit rajonal Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokim të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve, në partneritet me gjashtë asociacione rajonale të gazetarëve-Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (IJAS), Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Asociacioni i Gazetarëve Kroat (CJA), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AJK), Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (AJM) dhe Sinidikata e Mediave të Malit të Zi.