Sfida më e madhe për FSK-në pas transformimit

Sfida më e madhe për FSK-në pas transformimit

Forca e Sigurisë së Kosovës edhe pas miratimit të ligjeve nga Kuvendi i Kosovës për transformimin e saj në ushtri, do të vazhdojë t’i mbajë dyert e hapura për pranimin e pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë, përfshirë edhe pjesëtarët komunitetit serb, konfirmojnë zyrtarët e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se politikat për gjithëpërfshirje në këtë forcë do të vazhdojnë edhe më tej, për shkak se vetë FSK-ja është shumetnike dhe e besueshme, e cila do t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve dhe të gjitha grupeve etnike në Kosovë.

Sipas tij, Ministria e FSK-së dhe institucionet tjera do të vazhdojnë të promovojnë të drejtat dhe mundësitë e qytetarëve serbë, që të jenë pjesë e kësaj force.

“Kjo sigurisht është çështje, në të cilën Forca ka treguar sukses të deritashëm, hiq këtu presionet dhe kërcënimet e fundit që i kanë bërë struktura të caktuara të Serbisë dhe të krimit të organizuar ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së. Por, në bindjen tonë është e qartë se në periudhën e ardhshme do të ketë vazhdimisht rritje të numrit të pjesëtarëve serbë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke u bazuar në interesimet e përgjithshme që komuniteti serb ka për të qenë pjesë e FSK-së. Pra, ne do të vazhdojmë politikat e njëjta dhe dyert e hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës”, theksoi Ramadani.

Që nga pranvera e këtij viti, një numër i madh i pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë braktisur radhët e kësaj force, nën presionin e autoriteteve të Beogradit. Këto të fundit, publikisht u kanë kërkuar pjesëtarëve serbë të FSK-së që ta braktisin atë, duke thënë se institucionet e Kosovës duan ta shndërrojnë FSK-në në ushtri dhe që pjesëtarët serbë të kësaj force t’i çojnë drejt vëllavrasjes.