Përpos se lokalet në disa raste nuk janë në dispozicion të tyre – për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas sfidë është edhe ambienti brenda shkollave.
Kështu ka thënë Selamir Qerimi, përfaqësues i organizatës “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”.
Duke iu referuar rastit të fundit në Gjakovë për të cilën ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka raportuar se “disa pjesëtarëve të komuniteteve nuk i është shërbyer”, kjo organizatë beson se sprovimet janë edhe në lokacione të tjera.
Bazuar në këtë, Qerimi tregon se nga bisedat me pjesëtarët e komuniteteve rezulton që një pjesë e nxënësve përballen me bullizëm në shkolla. Pakënaqësi në mesin e tyre ka.
Edhe pse protestat për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve janë përmendur – ato nuk u organizuan.
”Kjo çështje varet nga disponimi i pjesëtareve te komuniteteve dhe individëve të caktuar”, tha ai.
Një nga këta përfaqësues është edhe ministri Elbert Krasniqi – i cili nuk është përgjigjur në pyetjet nëse është ndërmarrë diçka në lidhje me rastin e lokalit në Gjakovë.
Për këtë nga shoqëria civile i kanë kërkuar Krasniqit që të veprojë, pushtetin e ka – pasi nuk mjafton vetëm të kërkohet bojkotimi i lokaleve.
Pos tij, reagime më pastaj ka pasur edhe nga nivelet e larta të përfaqësimit shtetëror – kanë kërkuar edhe nga Policia që të veprojë në këtë drejtim.
Policia nuk ka dhënë statistika të rasteve të dhunës ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.
Këto komunitete në Kosovë përbëjnë 35 mijë e 784 të popullsisë, bazuar në regjistrimin e popullsisë.
Mbi 15 mijë janë shkali, më shumë se 11 egjiptian e rreth 9 mijë rom.
Njeriu nuk është produkt i racës, por i kulturës.
Ky koncept sociologjik është përmendur nga Labinot Kunushevci, sociolog.
Këtë ai e lidhi me ngjarjen e fundit në Gjakovë, ku tha se sjellja jonë ndaj tyre tregon prezencën e kulturës së racizmit.
“Ai lind me një identitet të natyrshëm, rrjedhojë e trashëgimisë familjare, vullnet natyror i Zotit. Prandaj kjo nuk duhet ta ushqejë kompleksin e inferioritetit dhe superioritetit”.
“Raca nuk është privilegj”, mendon Kunushevci.
”Njeriu gjykohet për kulturën publike, mënyrën e sjelljes dhe komunikimit publik, profesionet dhe krijimin e familjes, ndërtimin e raporteve shoqërore, respektimin e ligjit dhe rendit publik, respektimin e hapësirës publike, aktivizmin qytetar, humanizmin, etj. Kultura e krijon personalitetin e njeriut”, tha ai.
Kunushevci beson se komunitetet pakicë që ekzistojnë në shoqërinë tonë, shpeshherë janë viktimë të kulturës së deformuar të racizmit absurd dhe primitiv.
“Theksimi i dallimeve, vlerësimi i dallimeve dhe hakmarja ndaj personave që janë ndryshe, janë tri pika drejt racizmit, të shprehura ndaj tyre, të cilat duhet të kategorizohen si gjuhë të urrejtjes, vepër penale, dhe të ndëshkohen nga institucionet e vendit”.
Pasi tema ishe ndezur për disa ditë, gjithçka ishte shuar pa u marrë ndonjë masë. /Insajderi.com