Sfidat e personave të verbër në punë

Sfidat e personave të verbër në punë

Ka gati 3 vjet që Halil Kurmehaj, punon në zyrën ligjore të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Çdo ditë ai shkon në punë herë me taksi, herë i shoqëruar nga dikush tjetër, e herë, kur rrethanat ia shtojnë mundin, nuk shkon fare, raporton Kallxo.com.

Halili ka të pamur të kufizuar në shkallë të lartë. Ai humbi shikimin në fëmijëri dhe që atëherë është munduar ta ndërtojë jetën në një vend që nuk ua ofron mundësitë e barabarta të gjithëve. Halili kreu studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe tashmë punon në profesionin e tij si zyrtar ligjor, mirëpo jo tërësisht pa sfida.

“Zyrari ligjor”, thotë Halili, “ndër të tjera merrem kryesisht me interpretimin e ligjeve, draftimin dhe hartimin e legjislacioneve dhe dhënien e opinioneve ligjore”. Të gjitha këto aktivitete kërkojnë shumë përgatitje dhe lexim të vazhdueshëm, sidomos të dokumenteve e rregulloreve.

Për ta kryer punën e tij, Halili përdor aplikacione kompjuterike, të cilat i lexojnë tekstet për të dhe ia lejojnë që të bëjë ndryshime e t’i shtojë mendimet e veta. Aplikacionet për ‘screen reading’ janë mënyra e vetme në të cilën Halili mund ta kryejë punën e tij, meqë ka shumë pak shkrime, e aq më pak dokumente, të shtypura në alfabetin Braille.

“Nëpër rregullore dhe dokumente që vijnë të skenuara të shkruara në tri kolona: shqip, anglisht, dhe serbisht… kur e hap dokumentin edhe e lexon Nenin 2, të themi, duhet me e lexu njëherë shqip, pastaj serbisht e kështu për me dalë te Neni 3”, tregon Halili, duke shpjeguar se kjo e ngadalëson procesin e punës në krahasim me kolegët të cilët kanë qasje më të shpejtë në dokumente.

“Kur shtypet një dokument në Braille, është shumë më lehtë me punu, me qenë pedant edhe efikas në punën që e bën. Në këtë mënyrë mund të jesh i barabartë me kolegët në nivelin e shpejtësisë dhe efikasitetit, edhe je ma i sigurt në punën që e bën për dallim prej punës që bëhet me ‘screen reader’”.

Njejtë si në vendin e punës Halili, edhe gjatë studimeve themelore, e ka përdorur këtë mënyrë për të lexuar. Tekstet që kolegët e tij studentë i kanë blerë si kopje fizike, ai i ka skenuar dhe i ka dëgjuar të lexohen nga zëri dhe shqiptimi robotik i aplikacioneve.

“A të len pasoja në aspektin profesional kjo puna e skenimit të librave? Po, pa dyshim që po”, thotë Halili. “Për shembull, nuk je shumë i mirë në shqiptimin e disa termeve profesionale. Mirëpo, përmes kësaj mënyre kam qenë në gjendje të kujdesem vetë, pra pa e angazhu ndonjë shok apo familjar”, shton ai./Insajderi.com