Më 2015-ën, Osman Shahini ishte emëruar sekretar i përhershëm i Ministrisë së Diasporës, në kohën kur ministër ishte Valon Murati.
Murati e Shahini ishin miq të vjetër, si dhe bashkëpartiakë në Lëvizjen për Bashkim, por vetë Shahini thotë se si sekretar, nuk erdhi si mik e as si bashkëpartiak i Muratit, por si profesionist.
Shahini thotë se prej momentit kur ka ardhur në këtë ministri, performanca është rritur, derisa ka treguar se ka ulur në minimum shpenzimet e panevojshme, duke kursyer buxhetin e shtetit, raporton Kohavision.
“Ministri Valon Murati gjatë kohës qe ishte ktu, e ka hequr nga zëri buxhetor blerjen e telefonave mobil. Por Ministri Gashi në momentin që ka ardhur pas dy ditëve ka kërkuar me ble telefon mobil diku në vlerë 1 mijë euro. Unë i kam thanë që do të shoh si është çështja e buxhetit, kam pyetur tek divizioni i buxhetit dhe më kanë thanë që nuk ka buxhet të paraparë për këtë. Unë jam kthy tek Ministri, i kam thanë që nuk mund të blihet sepse nuk ka buxhet dhe blerja do të na shkaktonte thyerje të ligjit”, tha Shahini.
Një ditë pasi u pezullua nga puna nga ministri i tashëm, Dardan Gashi, për performancë të dobët, Shahini thotë se ministri ka bërë shkelje të ligjit duke e emëruar si sekretare të përhershëm një punëtore të thjeshtë, siç është sipas tij, Shyhrete Gosalci.
“Neni 2 thote në rast të mungesës së një sekretarti të përgjithshëm, ai ose ajo do të zevëndësohet nga nënpunësi civil i rangut më të lartë në përputhje me regullat e përcaktuara në ligjin për procedurën administrative. Ndersa ajo është zyrtare e thjeshtë, nuk është madje as shefe e divizionit”, tha Shahini.