Shahini i reagon Osmanit, e quan anti-patriotike dhe populiste

Shahini i reagon Osmanit, e quan anti-patriotike dhe populiste

Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, i ka reaguar ushtrues së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, lidhur me një deklaratë që kjo e fundit ka dhënë për mediat ndërkombëtare, ku ka thënë se ndër problemet kryesore që ka Kosova janë krimi dhe korrupsioni, përcjell Insajderi.

Këtë deklaratë të Osmanit, ajo e ka quajtur anti-patriotike dhe populiste.

“Presidentja e Kosovës – përfaqësuesja më e lartë e vendit – tha për BBC-në, që problemi më i madh në Kosovë është ‘krimi dhe korrupsioni’. Përveçse e pavërtetë, kjo deklaratë është populiste dhe anti-patriotike”, ka shkruar Shahini në llogarinë e saj në Facebook.

Shahini tutje ka shtuar se të përshkruhet Kosova në media ndërkombëtare si vend i zhytur në korrupsion e krim është si “të pështysh vetën në fytyrë”.

“Të flitet për krim dhe korrupsion në fushatë zgjedhore është e kuptueshme. Por, të përçohet diskursi i fushatës në media ndërkombëtare dhe të përshkruhet Kosova si vend i zhytur në krim e korrupsion, është të pështysh vetën në fytyrë, siç kanë bërë Basha e Meta shpesh me Shqipërinë për interesa vetjake elektorale.

Kur e para e vendit prezanton gjithë gjeneratat paraardhëse politike si të korruptuara e të kriminalizuara, tingëllon mosbesues edhe cilësimi që ia bën vetes dhe Vetëvendosjes si të ‘pakorruptueshëm’”./Insajderi.com