Shahini: Normal që do të vazhdoj të jem kryetari i AKB-së

Shahini: Normal që do të vazhdoj të jem kryetari i AKB-së

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit është dënuar nga Gjykata me 18 muaj burg me kusht, për mashtrimin që i ka bërë bankës TEB, por kjo për Shahinin nuk do të ndikojë në mbajtjen e postit të tij.

I pyetur nga Insajderin se nëse një vendim i tillë do të ndikojë në pozitën e tij si kryetari i Aleancës Kosovare të bizneseve, Agim Shahini ka thënë se pavarësisht vendimeve do të qëndroj kryetar i AKB-së.

“Normal që do të vazhdojë të jem kryetari i AKB-së”, ka thënë Shahini.

Sipas Shahinit, posti si kryetar i AKB-së nuk mund të ndryshojë pasi vendimi i gjykatës, të cilin thotë se nuk e ka parë ende, është montim ndaj tij.

“Unë nuk e kam marrë këtë vendim dhe nuk e di çka është ky vendim”, ka thënë Shahini i kontaktuar nga Insajderi.

Gjykata themelore e Mitrovicës, dega në Vushtrri ka dënuar Agim Shahni, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe vëllanë e tij Skënder Shahini me nga 18 muaj burg, por dënimi nuk do të ekzekutohet në afat prej dy vitesh nëse të pandehurit nuk kryejnë vepra tjera penale.

Shahini, këtë proces e quajti të montuar dhe të sponzorizuar pasi  që sipas tij gjykata që nga dita e parë nuk ka dashur të zbardhë një të vërtet por një të pavërtetë.

“Ky është një proces i montuar dhe i sponzorizuar normalisht që në asnjë rrethanë nuk jam fajtor. Kjo çështje nga dita e parë dhe ka me përfundua pozitivisht për mu dhe nuk është diçka çka po dëshirojnë me e nxjerr një të vërtet por një të pavërtetë dhe ndoshta e kanë marrë një vendim kundër meje diçka, por e vërteta qëndron që s’ka asgjë nga kjo punë”, ka thënë Shahini.

Shahini ka angazhuar avokatin e tij Granit Vokshin, por për të ngritur padi se si një informacion para se të merret vesh nga personi në fjalë del në mediume.

“Për këtë çështje kom me ngrit padi dhe e kam thirr avokatin se si të informohet mediumi para vetë personit në fjalë dhe për këtë çështje e kam vetë edhe avokatin tim por as ai nuk ka ndonjë informacion”, ka thënë Shahini.

Por vet avokati nuk e ka përmendur këtë padi. Ka thënë se ai dhe Shahini nuk kanë qenë në gjykatë kur është dhënë aktgjykimi.

“Kam dëgjuar se dënimi do të jetë dy vite por zyrtarisht nuk kemi asgjë”, ka thënë Vokshi për Insajderin.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, u dënua nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me 18 muaj burg me kusht, për shkak se është gjetur fajtor se mashtroi bankën “TEB” për një kredi 250 mijë eurosh.

Por Shahini akuzohet edhe nga një bankë tjetër, për mashtrim. Veçse shuma është dyfish më e madhe.

“Raiffeisen Bank”-a më 5 maj të vitit 2010 kishte dorëzuar në prokurorinë publike komunale në Mitrovicë një kallëzim penal kundër tij. Shahini dyshohet për veprën penale-mashtrim.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 10 dhjetor 2013 nisi hetimet kundër Agim Shahinit.

Por për dallim prej rastit të TEB-it, rasti i bankës “Raiffesen” ende nuk ka nisur. Kështu së paku thotë, avokati i Agim Shahinit, Granit Vokshi.

“Sa i përket rastit të bankës Raiffesien ende nuk ka nisur ndonjë procedurë ose seancë”, ka thënë Vokshi për Insajderin.