Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, u kanë dërguar letër zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin e Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, njofton Insajderi.
Kamberi ka thënë se në letrën dërguar zyrtarëve të BE-së kanë theksuar se ky vendim është precedent i rrezikshëm për minoritetet në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.
“Njoftuam përfaqësuesit ndërkombëtarë se ky vendim i Gjykatës së Lartë i cili nuk e dënon përdorimin e termit joligjor dhe shovinist “šiptar” është po ashtu tregues që gjyqësori në Serbi është nën ndikimin e drejtpërdrejtë të zyrtarëve qeveritarëve, duke mos zbatuar as Ligjin mbi Ndalimin e Diskriminimit Racor dhe Fetar, që sanksionon “nxitjen e pabarazisë, urrejtjes dhe intolerancës bazuar në përkatësi racore, kombëtare, fetare, seksuale ose tjetër”, ka shkruar ai në Facebook.
Kamberi dhe Mustafi besojnë se Bashkimi Evropian nuk do ta tolerojë një Ministër të Punëve të Brendshëm të një shteti që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të përdorë publikisht dhe zyrtarisht, terminologji fyese dhe raciste ndaj pjesëtarëve të pakicave kombëtare.
“Në fund, theksuam vlerësimin tonë, se duke e zyrtarizuar dhe institucionalizuar gjuhën e urrejtjes kundër shqiptarëve dhe minoriteteve, përfaqësuesit më të lartë shtetërorë të Republikës së Serbisë, nuk kontribuojnë pozitivisht në procesin e pajtimit, paqes dhe bashkëjetesës në Ballkanin Perëndimor, e aq më pak në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili po lehtësohet nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftimin e tij./Insajderi.com
Dje, së bashku me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z.Ragmi Mustafi, dërguam një letër zyrtarëve të Bashkimit…
Posted by Shaip Kamberi on Saturday, February 13, 2021