Edhe në konferencën e mbajtur për media nga dy deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim shala dhe Arben Gashi, në lidhje me rastin e sotëm, ku nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje u tha se janë sulmuar fizikisht nga këta dy deputetë, Shala dhe Gashi e kanë demantuar një deklaratë të tillë.
Kujtim Shala, derisa iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ka thënë se një rast i tillë sulmi nuk ekziston, gjë e cila do të dëshmohet.
Ai ka shtuar se të gjitha ambientet e Kuvendit të Kosovës filmohen, gjë që sipas tij, do të jetë më e lehtë të dëshmohet se askush askënd nuk e ka sulmuar fizikisht sot.
“Askush askënd nuk e ka sulmuar fizikisht, i gjithë rasti nuk ekziston dhe kjo do të dëshmohet. Ambientet e Kuvendit që të gjitha xhirohen, regjistrohen dhe do të dëshmohet. Është rast i inicuar, ne kemi dhënë deklaratat tona në lidhje me rastin dhe është mbyllur kjo çështje.
Debati nuk kishte të bënte me LDK-në”, ka thënë Shala në konferencën e LDK-së për media. /Insajderi.com/