Shala e quan hakmarrje politike shkarkimin e djalit të tij

Shala e quan hakmarrje politike shkarkimin e djalit të tij

Deputeti i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Haxhi Shala, ka komentuar rreth emërimit të djalit të tij, Flakron Shalës, si konsull i përgjithshëm në Pragë të Çekisë, për çka thotë se nuk e ka kushtëzuar askënd me votë për të arritur deri te ky emërim dhe se ka qenë një hakmarrje politike ndaj tij, transmeton Insajderi.

Sot ushtruesja e detyres së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shfuqizuar dekretin për emërimin e birit të Shalës si konsull.

Shala në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë që a është shkelur ligji me këtë rast, sipas tij, këto duhet t’i sqarojë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Presidenca.

“Kurrë, asnjëherë. Nëse del që unë e kam kushtëzu presidentin ose Ramushin me votë, asnjë ditë në politikë nuk rri. Une kam një familje të madhe, të gjithë janë të shkolluar përveç një djalë i vëllaut. Djalin tim e kanë kërku me kanë aty. A bën babë, thashë babë bënë, po e di çfarë bëjnë mediat”, ka deklaruar Shala.

“Me krenari e mbroj sot djalin tim, jo që është i imi, por çdo të ri i cili ka arritur të kryejë fakultetin dhe magjistraturën në afate rekorde duke shfrytëzuar edhe bursën e atij shteti ku është shkolluar, unë ia heqi kapelën”.

“Mendoj që për këtë lajm është bërë kaq bujë, pasi është djali im. Ka qenë hakmarrje politike ndaj meje. Fatkeqësisht unë jam në politikë dhe mendjet e krisura në Kosovë, thonë që s’bon me qenë djali i një politikani në këtë pozitë”, është shprehur Shala. /Insajderi.com