Shala: Nisma nuk shkrihet në asnjë parti, nuk kemi vija të kuqe për asnjë

Shala: Nisma nuk shkrihet në asnjë parti, nuk kemi vija të kuqe për asnjë

Deputeti i NISMA-s Socialdemokrate, Endrit Shala, i cili e përfaqësoi këtë parti sot në takimin me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, pas këtij takimi tha se në këtë takim u bisedua për një datë të mundshme se kur mund të shkojë vendi në zgjedhje, transmeton Insajderi.

Pas takimit, Shala para medieve tutje u shpreh edhe për mundësinë që kjo parti të bëjë koalicione parazgjedhore me partitë tjera politike në vend.

Sipas tij, momentalisht nuk kanë ndonjë vendim për sa i përket kësaj çështjeje, duke thënë shkurt se nuk kanë vija të kuqe për asnjë subjekt.

“Organet e drejtuese janë që Nisma të shkojë e vetme në zgjedhje. Pas caktimit të zgjedhjeve, organet do të vendosin nëse do të shkojnë me ndonjë parti politike në zgjedhje. Nisma është subjekt politik dhe nuk do të shkrihet asnjëherë në asnjë subjekt politik. Nisma mund të bëj koalicione me subjekte të tjera varësisht prej marrëveshjeve që bën. Nuk kemi vija të kuqe për asnjë”, ka thënë ai. /Insajderi.com