Shala thotë se i duken qesharake akuzat e ngritura ndaj tij: S’kam bërë ndonjë krim, jam plotësisht i pafajshëm

Shala thotë se i duken qesharake akuzat e ngritura ndaj tij: S’kam bërë ndonjë krim, jam plotësisht i pafajshëm

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i cili është paraqitur sot për herë të parë në Gjykatën Speciale në Hagë, ka thënë se akuzat e ngritura kundër tij i duken qesharake.

Derisa u pyet nga gjykatësi Nicholas Guillou se a i ka kuptuar të gjitha pikat e aktakuzës ndaj tij, ai tha “po, i nderuar i kuptova, qesharake më duken”.

Ai tutje u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij në këtë tribunal.

“Unë nuk e ndiej veten që kam bërë ndonjë krim përvec se kam mbrojtur atdheun tim dhe popullin tim dhe jam i pafajshëm plotësisht”.

Siç u bë e ditur nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, në këtë seancë, Shala akuzohet për katër pika që kanë të bëjnë me “krime lufte të kryera në ish-fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, gjatë pranverës së vitit 1999″.

“Ndalim arbitrar, krim lufte i kryer në ish-fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, afërsisht midis 17 majit dhe 5 qershorit”.

“Torturë, krim lufte i kryer në ish-fabrikën e metalin në Kukës, Shqipëri, afërsisht midis 17 majit dhe 5 qershorit”.

“Vrasje e paligjshme si krim lufte i kryer n ëish-fabrikën  e Metalit në Kukës, Shqipëri më datë 5 qershor ose rreth kësaj date 1999”, janë pikat për të cilat akuzohet ai si “anëtar i ndërmarrjes kriminale të përbashkët”.

Shala tutje u pyet nëse i ka kuptuar të drejtat e tij si i akuzuar, ndërsa ai shfrytëzoi rastin që në fjalën e tij të thotë se nuk ka nevojë të paraqiten “këto lloj filma” për paraqitjen e tij në Gjykatë, meqë e ka bërë edhe më parë.

“Unë disa herë kam ardhur në tribunalin e Hagës më 2004, 2007 e edhe për EULEX-in më 2016, nuk ka pasur nevojë që të paraqitet ky lloj filmi meqë vetë jam deklaruar”. /Indsajderi.com