SHBA bën thirrje për ulje të tensioneve

SHBA bën thirrje për ulje të tensioneve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë pas situatës së krijuar sot në Veri të vendit, njofton Insajderi.com.

Siç njoftojnë nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, po vazhdojnë të punojnë bashkë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n për të ndihmuar palët në zvogëlimin e tensioneve.

“SHBA-ja bën thirrje për qetësim të situatës pas ngjarjeve të sotme në Kosovë. Ne vazhdojmë të punojmë me partnerët nga Bashkimi Evropian dhe NATO për të ndihmuar të gjitha palët të ruajnë përparimin në normalizimin e marrëdhënieve dhe zvogëlimin e tensioneve”, ka thënë një zëdhënës nga DASH për ‘zërin e Amerikës’.

Ndërkohë më herët Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka shprehur shqetësimin për përgjigjet ndaj aksioneve të sotme të Policisë.

Nga kjo ambasadë thonë se është e papranueshme dhuna ndaj autoriteteve, mediave dhe civilëve.

“SHBA është e shqetësuar me përgjigjet ndaj aksioneve të sotme të forcave të zbatimit të ligjit në territorin e Kosovës. E gjithë dhuna, qoftë e drejtuar kundër autoriteteve, mediave apo civilëve, është e papranueshme dhe duhet te hetohet dhe ndiqet plotësisht sipas ligjit. Ne bëjmë thirrje për qetësi”, thonë nga ambasada.

Ambasada e Amerikës në Kosovë

Gjatë aksionit të Policisë së Kosovës dhe Doganës kundër kontrabandës, është hasur në rezistencë në veri të Kosovës nga një numër i serbëve, të cilët madje kanë shtënë edhe me armë e kanë hedhur edhe granata dore.

Madje janë sulmuar me mjete shpërthyese edhe gazetarët. Dhjetë policë janë lënduar, por jashtë rrezikut për jetë.

Është raportuar për një protestues serb të plagosur, por Policia ka thënë se nuk dihet nëse është qëlluar nga Policia apo nga të shtënat e serbëve tjerë që dolën për të ndaluar Policinë e Kosovës. /Insajderi.com