SHBA e do Kosovën partner të fortë, prandaj i ndihmon

Amerikës i duhet Kosova partner i fortë, prandaj nuk heziton për ta ndihmuar.

Kështu ka shkruar zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, në një postim të tij në Twitter, ku ka shpërndarë edhe njoftimin nga DASH-i për vaksinat e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si ndihmë për Kosovën.

“Një Kosovë elastike, korpulente dhe e pavarur është një partner më i fortë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj tani po shpërndajmë atë që kishim premtuar duke dhënë 500 mijë doza vaksina Pfizer anti-COVID’19 te partnerët tanë në Kosovë”, shkruan Price.

Kontigjenti i parë i vaksinave i ardhur sot në Kosovë përbëhej nga 35 mijë e 100 vaksinat, derisa dozat e tjera do të vijnë gjatë ditëve në vazhdim.

“Jemi të kënaqur që ndihmojë partnerët në luftë kundër COVID-19”, thuhet në njoftimin e DASH-it në Twitter.

“Populli amerikan dha kontingjentin e parë sot nga 500 mijë vaksina sa do të dërgohen në Kosovë”, vazhdon cicërima, duke sqaruar në fund se “ky është donacioni më i madh që Kosova ka pranuar nga ndonjë vend”.

Pritja e këtyre dozave anti-virus u bë me një ceremoni ku të pranishëm ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja, Vjosa Osmani dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.

“Vaksinat luajnë një rol udhëheqës në luftë ndaj pandemisë COVID-19 për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë, ndërsa do të ketë edhe dhurim të kontingjenteve të tjerë të vaksinave për Kosovë”, tha Kosnett.

Osmani e Kurti u shprehën falënderues për ndihmën, derisa kryeministri u zotua se me këtë ritëm të vaksinimit, deri në fund të vitit do të vaksinohen me të dyja dozat rreth 60 për qind e qytetarëve.

Këto vaksina vijnë në një moment shumë të nevojshëm për Kosovën, kur numrat e infektimit janë rritur më shumë se kurrë më parë.

Vetëm këtë të premte, 20 gusht, janë shënuar katër vdekje dhe plotë 2250 infektime të reja. Shumica prej tyre, me variantin e ri e të rrezikshëm Delta./Insajderi.com