Vetëm një ditë para se të skadojë moratoriumi i vendosur para një viti në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë inkurajuar palët ta shqyrtojnë mundësinë e vazhdimit të tij, transmeton Insajderi.com.
Arsye e vazhdimit të moratoriumi mbi çështjen e njohjes dhe aplikimeve në organizata ndërkombëtare, është përmendur rëndësia që dialogu i Brukselit të finalizohet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Për të mbështetur suksesin e dialogut dhe përpjekjet e tjera, ne inkurajojmë të dyja palët që të ruajnë moratoriumet e tyre në çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike. Ne po vazhdojmë të punojmë me Kosovën dhe Serbinë për të zbatuar angazhimet e tyre në mbështetje të qëllimit të normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve”.
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe detyruese të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, e cila hedh themelet për bashkëpunim dhe prosperitet të qëndrueshëm”, thonë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për “Kohën”.
Marrëveshja e Uashingtonit ishte nënshkruar para një viti në Shtëpinë e Bardhë nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nën praninë e ish-presidentit Donald Trump. /Insajderi.com