SHBA-ja do të ndërtojë rezidencë në Prishtinë për ambasadorin e saj

SHBA-ja do të ndërtojë rezidencë në Prishtinë për ambasadorin e saj

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka takuar sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Phillip Kosnett me të cilin kanë nënshkruar marrëveshjen për dhënie në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, shkruan Insajderi.

Sipërfaqe prej 8 mijë e 340 metra katrorë, është dhënë  për ndërtimin e rezidencës së re për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Me këtë rast Ahmeti tha se është kënaqësi që të shprehim edhe njëherë mirënjohjen tonë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë për vendin tonë.

“Është kënaqësi për ne që të shprehim edhe njëherë mirënjohjen tonë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë për vendin tonë. Me Ambasadën dhe Rezidencën e re të Shteteve të Bashkuara në tregojmë atë që është vendosur e bërë e qartë nga ShBA-të qysh vite më parë, që është një prej partnerëve tanë më të afërt dhe është këtu për të qëndruar. Për të qëndruar me ne, në këtë në tranzicion dhe për të zhvilluar shtetin tonë dhe ne jemi mirënjohës për këtë”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq Kosnett i ka falënderime Ahmetit, për ndarjen e parcelës për ndërtimin e rezidencës, e cili tha se do të jetë vendtakim për kosovarët e të gjitha komuniteteve.

“Sot, në emër të popullit amerikan, i shpreh falënderimet për kryetarin Ahmeti, Kuvendin Komunal dhe popullit të Prishtinës, që siguruan qasje në tokën mbi të cilën do të ndërtohet Rezidenca e re e Shefit të Misionit tonë. Një Rezidencë moderne, e cila do të jetë vendtakim për kosovarët e të gjitha komuniteteve që të bashkohen me miqtë e tyre amerikan për të shkëmbyer ide dhe për të punuar së bashku për ndërtimin e një të ardhme të paqes, drejtësisë, dhe prosperitetit për të gjithë njerëzit në Kosovë”, ka deklaruar ai./Insajderi.com