ShBA: Kosova ka disa obligime para zgjedhjeve

ShBA: Kosova ka disa obligime para zgjedhjeve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë përmend një varg detyrimesh të koalicionit qeverisës që duhet të përmbyllen, si përgjigje ndaj zërave që mund të ketë së shpejti zgjedhje të parakohshme në vend.

Zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, J. Michelle Schohn, thotë se udhëheqësit e Kosovës duhet të përqendrohen në arritjen e qëllimeve kryesore.

“Siç janë përmirësimi i sundimit të ligjit, lehtësimi i investimeve vendore dhe të huaja, ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit, miratimi i Ligjit për Liritë Fetare, dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut, duke përfshirë këtu edhe fillimin e procesit për Asociacionin e Komunave Serbe”, është shprehur ajo për arbresh.info.

Sipas saj, këto çështje “duhet të adresohen nga ky Kuvend dhe nga kjo Qeveri pa vonesë shtesë.”

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka paraparë të procedojë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim Marrëveshjen që përcakton vijën kufitare me Malin e Zi.