SHBA: Kur lideri gabon

Sulmi ndaj ‘Capitol Hill-it’ duket se e bën konkrete hipotezën, cituar nga shumë komentatorë amerikanë, të ringjalljes së Luftës Civile që gjakosi vendin njëqind e pesëdhjetë vjet më parë, duke vendosur Veriun e Abraham Lincoln-it liberal kundër Jugut të skllavopronarëve konfederalë. Pas demonstratave paqësore të lëvizjes ‘Black Lives Matter’, e cila gjithashtu vuri në dyshim historinë e vendit, duke rrëzuar statujat e politikanëve skllevërpronarë, sulmi i armatosur i kryer nga grupet Trumpiste në zemër të demokracisë federale, i tregoi botës një vend të ndarë në dy subjekte kundërshtare, të gatshëm për ballafaqim të drejtpërdrejtë.

SHBA: Kur lideri gabon

Autore: Gerta Zaimi

Kur Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara në 20 Janar 2017, gazeta e njohur “Washington Post” e komentoi ngjarjen me titullin e madh të sloganit të saj “Democracy Dies in Darkness”, “Demokracia Vdes në Errësirë”.

Kjo frazë apokaliptike, e cila duket si e marrë nga një tragjedi e Shekspirit, dukej sikur qëndronte pezull mbi ‘Capitol Hill’ në orët e tmerrshme të sulmit me armë nga simpatizantët e Donald Trump-it.

Një traumë e vërtetë për një vend që duket i ndarë në dysh midis shpirtit liberal e demokratik të përfaqësuar nga demokratët dhe shpirtit reaksionar dhe racist të mishëruar nga republikanët.

Sulmi ndaj ‘Capitol Hill-it’ duket se e bën konkrete hipotezën, cituar nga shumë komentatorë amerikanë, të ringjalljes së Luftës Civile që gjakosi vendin njëqind e pesëdhjetë vjet më parë, duke vendosur Veriun e Abraham Lincoln-it liberal kundër Jugut të skllavopronarëve konfederalë.

Pas demonstratave paqësore të lëvizjes ‘Black Lives Matter’, e cila gjithashtu vuri në dyshim historinë e vendit, duke rrëzuar statujat e politikanëve skllevërpronarë, sulmi i armatosur i kryer nga grupet Trumpiste në zemër të demokracisë federale, i tregoi botës një vend të ndarë në dy subjekte kundërshtare, të gatshëm për ballafaqim të drejtpërdrejtë.

Por mbase efekti më i fuqishëm dhe shkatërrues i imazheve të transmetuara nga rrjetet amerikane nga Washington-i ka qenë në nivel ndërkombëtar.

“Tani për tani, diktatorë nga e gjithë bota janë ulur para televizionit me kokoshka në prehër, duke shijuar spektaklin e demokracisë më të madhe në botë të shkatërruar më keq se regjimet e Amerikës Latine”, komentoi në një TV italian drejtpërdrejt, Paolo Magri, i cili drejton Institutin Italian të Politikës së Jashtme ISPI.

Dhe shqetësimi, për efektin që ato pamje mund të kishin në prestigjin e demokracive liberale në të gjithë botën, duhet të ketë qenë i madh përderisa agjencitë e lajmeve menjëherë filluan të shtypin deklaratat e shqetësuara të të gjithë udhëheqësve politikë perëndimorë.

Mekanizmat dhe sistemi i vlerave të demokracive evropiane janë në krizë kudo për shkak të rënies së zhvillimit ekonomik, politikave të migrimit dhe avancimit të lëvizjeve populiste, të mbështetura nga Donald Trump në këto vite presidenciale.

Parulla “America first” (Amerika e para) e nisur nga Trump në Shtëpinë e Bardhë është përkthyer në Hungarisht në teorinë e demokracisë joliberale të Viktor Orban-it, të populizmave polake, çeke dhe austriake dhe në përparimin elektoral të së djathtës gjermane.

Një front politik në rritje që gërryen parimet liberale mbi të cilat janë themeluar Bashkimi Evropian dhe demokracitë e kontinentit.

Sulmi ndaj parlamentit amerikan i ka dhënë një goditje të rëndë rolit ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara si model referimi për demokracitë e reja.

Le të kujtojmë rolin e luajtur nga Bill Clinton në fund të luftës së përgjakshme në Ballkan, kundër persekutimit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe në lindjen e shtetit të Kosovës.

Të gjitha vendet ku demokracia ka lulëzuar nga brishtësia shohin Shtetet e Bashkuara si një model që duhet ndjekur në konsolidimin e institucioneve dhe jetës shoqërore.

Departamenti i Shtetit i SHBA-s boton një Raport për të Drejtat e Njeriut çdo vit. Raport i cili shërben si pikë referimi për politikën ndërkombëtare. Ambasadat e SHBA-s në të gjithë botën inkurajojnë qeveritë që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të përshtatur ligjet e tyre me ato të legjislacionit demokratik ndërkombëtar.

A do të ketë Uashingtoni të njëjtin besueshmëri ndërkombëtare pas asaj që ndodhi në Capitol Hill? Përplasja midis modelit të demokracisë liberale dhe asaj të “demokraturës” së Putinit ose kapitalizmit ‘komunist’ të Pekinit i sheh SHBA sigurisht të dobësuara nga ‘grushti’ i Trump-it.

Për këtë arsye, në orët kryesore të sulmit, presidenti i ri, Joe Biden, nxitoi të deklarojë se “Kjo që po shihni nuk është Amerika e vërtetë”.

Fatkeqësisht, i dashur President Biden, kjo nuk është e vërtetë. Problemi është pikërisht se Amerika është gjithashtu kjo: një Amerikë e shëmtuar, e mbushur me urrejtje, e dhunshme, individualiste, mbase e dëshpëruar dhe sigurisht shqetësuese që deri më tani ka qenë e fshehur nga filmat, këngët dhe imazhet e bukura të Hollywood-it dhe të elitave intelektuale të Manhatanit.

Një Amerikë e periferive që sot dëshiron të marrë pushtetin me mitraloz në dorë.

A do të ketë sukses Biden-i ekuilibruar në ngjitjen e të krisurave dhe rindërtimin e një shoqërie të bashkuar dhe mbështetëse në një vend të themeluar mbi individualizmin?

Dhe ne, popuj që punojmë e jetojmë në demokracitë në progres, a do të jemi në gjendje të vazhdojmë përgjatë rrugës që kemi ndërmarrë kur modeli të cilit i referohemi duket të jetë në kushte kritike si kurrë më parë?

Autorja e këtij shkrimi, Greta Zaimi, është hulumtuese në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare për Lindje të Mesme dhe Ballkan.