Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta detyrojnë Kosovën që ta pranojë një marrëveshje finale me Serbinë pa qenë e gatshme ta pranojë, njofton Insajderi.
Kështu është shprehur ambasadori amerikan, Philip Kosnett, derisa po fliste rreth marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.
“Nuk dëshiroj të shpenzoj shumë kohë tani duke menduar për të kaluarën, duke folur për të kaluarën. Do të ketë mundësi tjera për këtë. Por, një gjë që mendoj se është e rëndësishme dhe që mendoj ka qenë e pandryshueshme gjatë administratave amerikane, të udhëhequra nga demokratët apo republikanët, është se nuk do të përpiqemi të detyrojmë popullin e Kosovës për ta pranuar një marrëveshje, të cilën nuk janë të gatshëm ta pranojnë”, tha Kosnett për Kanal10.
Ndërsa, lidhur me shkëmbimin e territoreve, ai shtoi se ka dështuar që nga fillimi sepse në Kosovë një ide e tillë ishte e papranueshme.
“Përkitazi me shkëmbimin e territorit, e kuptoj shumë mirë përse ka pasur shumë lodhje për të. Gjatë disa viteve të fundit, vazhdimisht e kemi thënë se në Kosovë nuk ka fare dëshirë për shkëmbim të territorit, pra është e dështuar prej fillimit. Më së shumti që kushdo në administratën paraprake kanë thënë është se nëse populli i Kosovës dhe Serbisë arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse që përfshin elemente të ndryshimit të kufirit apo rregullimit të kufirit, atëherë ne nuk do ta refuzonim atë pa e shqyrtuar fare. E kjo dallon shumë nga thënia se po nxitim për shkëmbim të territorit.
E dini, njerëzit më kanë pyetur për këtë gjatë dy viteve të fundit dhe përgjigjja ime është mjaft e pandryshueshme: Populli i Kosovës nuk është i interesuar në shkëmbim të territorit prandaj nuk ma merr mendja që kjo do të kalojë“, deklaroi tutje ambasadori Kosnett./Insajderi.com