
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar zyrtarisht për përpjekjet e deputetëve të Kosovës, për zhbërjen e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Pas deklaratave të Ambasadorit Greg Delawie, se nëse anulohet Gjykata Speciale mund të rrezikohet e ardhmja e Kosovës, Ambasada e SHBA-ve në Kosovë ka paralajmëruar se ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale do të ketë pasoja negative për Kosovën.
“Ka një iniciativë që ka dalë, me sa duket, po bëhet një përpjekje për të anuluar ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës. Unë dua ta bëj shumë të qartë se ne, Shtetet e Bashkuara, kundërshtojmë çdo përpjekje për të ndryshuar ose shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”, thuhet në deklaratën zyrtare të SHBA-ve.
“Duhet të them se jam vërtet i zhgënjyer që kjo gjë doli nga hiçi gjatë dy ditëve të fundit. Asnjë debat publik, që për një çështje me interes kaq të madh për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, është vetëm një turp nga pikëpamja ime”, thuhet në deklaratën zyrtare të Ambasadës së SHBA-ve.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë se “kjo përpjekje, nëse ka sukses, do të ketë implikime thellësisht negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Ajo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një goditje pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit.”
SHBA-të u kanë bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të mendojnë për të ardhmën e Kosovës, dhe jo vetëm për interesat e tyre personale.
“Unë po u bëj thirrje udhëheqësve të Kosovës që të ndihmojnë në mbylljen e kësaj përpjekjeje. Gjithkush duhet të mendojë për interesin e shtetit dhe 2 milionë qytetarëve të Kosovës në vend të interesave të tyre personale për këtë. Mbështetja ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës është ndërtuar mbi idenë se Kosova do të vendoste drejtësi ndaj individëve që kanë kryer krime lufte. Hezitimi ndaj këtij angazhimi do të ketë implikime jashtëzakonisht negative për Kosovën, për qytetarët e saj dhe për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara”, përfundon njoftimi.
Themelimi i një gjykate të tillë pritet të formohet nëse Kuvendi i Kosovës zhbën Ligjin për Gjykatën Speciale. 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan që të mbahet sonte seanca e jashtëzakonshme për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Kujtojmë se ditë më parë me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.