Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, janë takuar me zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer, në kuadër të vizitës së tyre zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë takim është diskutuar për përafrimin e Kosovës me familjen euro-atlantike, progresin në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe hapjen e një dinamike të re për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me njohje në kufijtë ekzistues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pala kosovarë në këtë takim ka vlerësuar lartë angazhimin e Palmer-it dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen dhënë Kosovës.
Ministri Selimi tha se Kosova është gjithnjë besnike ndaj interesave strategjike të SHBA-së dhe për këtë ka konsideruar se pa bashkërendim dhe garancë të Amerikës, është vështirë arritja e çfarëdo marrëveshjeje të qëndrueshme me Serbinë.
Në anën tjeter, Matthew Palmer, rikonfirmoi përkrahjen amerikane për Kosovën në mënyrë që Kosova ta arrijë progresin e integrimitt të plotë ndërkombëtar, shtetit ligjor dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Roli aktiv dhe mbështetja e ShBA-së, si aleate strategjike jona, është e pazëvendësueshme për të mbyllur të gjitha çështjet e hapura me Serbinë”, theksuan dy ministrat në fund të takimit me Palmer. /Insajderi.com/