“Serbia duket se e shijon iluzionin se Kosova është ende provincë serbe, përkundër faktit se pavarësia e Kosovës është një realitet i palëkundur”.
Kështu thotë profesori amerikan, njëherësh edhe ekspert i çështjeve të Ballkanit, Alon Ben-Meir, i cili më pas shton se Serbia e di që pavarësia e Kosovës dhe shteti i Kosovës nuk do të zhbëhen kurrë por nuk e pranojnë këtë.
Këto fjalë Ben-Meir i ka shprehur në shkrimin e tij të publikuar ku renditë katër arsye kyçe se pse Serbia nuk mund ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës.
“Së pari, pavarësia e Kosovës erdhi përmes rrjedhjes së gjakut shqiptar që e derdhën në një luftë që nuk e kishin zgjedhur ata. Gjaku i burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm e ka dhe vazhdon ta njollosë Serbinë për sa kohë që ajo nuk pranon të pranojë tmerrin që u shkaktoi kosovarëve. Akti i egër i Serbisë siguron një kujtesë të vazhdueshme për çdo qytetar të Kosovës se pavarësia e tyre është më shumë se politike – është personale; ata nuk mund të falin ose harrojnë nëse Serbia nuk pendohet”, thotë Ben-Meir.
Ben-Meir përmend njohjet dhe qëndrimin e Bashkimit Evropian karshi Kosovës, teksa flet edhe për “mjetet propaganduese të Serbisë në tërheqjen e njohjeve të shumta për pavarësinë e Kosovës”.
“Së dyti, mbi 100 shtete e kanë njohur Kosovën, përfshirë SHBA-të dhe shumicën dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së. Fushata e pamëshirshme e Beogradit për të bindur vendet e tjera të tërheqin njohjen e tyre ka dështuar. Në të vërtetë, Serbia nuk ka ndikim ose mjet për ta ndryshuar pozicionin e shumë vendeve që nuk duan të tjetërsojnë shtetet perëndimore që mbështetin Kosovës, vetëm për të akomoduar një vend të gabuar që refuzon ta pranojë dështimin e saj moral”, shkruan ai.
Profesori në Universitetin e Neë Yorkut tutje thotë se Kosova së shpejti mund të marrë liberalizimin e vizave dhe pavarësisht qëndrimit të Serbisë, ajo është në rrugë që një ditë të jetë pjesë e BE-së.
“Së treti, Kosova parashikohet që në një moment të bëhet një vend anëtare e BE-së. Nëse BE arrin në përfundimin se Serbia nuk do të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, ata nuk e kanë përjashtuar mundësinë e fillimit të procesit të integrimit me Kosovën pavarësisht. BE mund të japë gjithashtu liberalizimin e vizave për sa kohë që qeveria e re Kurti fillon të zbatojë me zell reformat socio-ekonomike që ai ka premtuar dhe nëse shkulet korrupsioni si në qeveri ashtu edhe në sektorin privat”, shkruan ai.
Së katërti, Ben-Meir thotë se Biden ka një qasje të veçantë ndaj Kosovës dhe kështu SHBA-të garantojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe Serbia nuk mund ta frikësojë.
“Së katërti, Presidenti Biden ka një prirje të veçantë ndaj Kosovës dhe administrata e tij do të mbështesë përpjekjen e Kosovës për të ringjallur ekonominë e vendit, jo vetëm duke siguruar ndihmë financiare por gjithashtu duke inkurajuar investimet amerikane në sektorin privat. Për më tepër, SHBA-të kanë garantuar sigurinë kombëtare të Kosovës dhe Serbia nuk është më në gjendje ta frikësojë Kosovën – jo tani dhe as në çdo kohë në të ardhmën”, shkruan Ben-Meir. /Insajderi.com