fbpx

SHBA-të premtojnë se do të vazhdojnë përkrahjen e Kosovës

SHBA-të premtojnë se do të vazhdojnë përkrahjen e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë premtuar mbështetjen e tyre për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion të senatorëve dhe kongresistëve amerikanë të udhëhequr nga senatori James Inhofe, dhe i shoqëruar edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, shkruan lajmi.net.

Haradinaj me këtë rast, shprehu falënderim të posaçëm ndaj senatorëve dhe kongresistëve amerikanë që ishin sot në Kosovë në shënimin e 11-vjetorit të Pavarësisë.

“Amerika është lidhja më e rëndësishme e Kosovës. Ne jemi përgjithmonë të rreshtuar krah Amerikës dhe jemi aleatët më besnikë të saj”, tha kryeministri Haradainaj duke shprehur po ashtu falënderim për mbështetjen e SHBA-së në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova e veçmas tani në këtë fazë të rëndësishme të përmbylljes së shumë temave të rëndësishme për vendin.

Më tej, Haradinaj shtoi se Kosova ndan vlerat dhe prioritetet me Amerikën në një gamë të gjerë aktivitetesh.

Haradinaj në këtë takim foli edhe për procesin e dialogut, konsolidimin ndërkombëtar të vendit dhe fuqizimin ekonomik.

“Kosova është e përkushtuar për dialog, për fqinjësi të mirë dhe për partneritet të qëndrueshëm me vendet aleate dhe miqësi të përhershme me SHBA-në. Mbi këto vlera është ndërtuar edhe shteti ynë dhe mbi këto vlera do të qëndrojmë gjithmonë”, tha Haradinaj duke kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të SHBA-së.

Ndërkaq, senatori Inhofe u shpreh i nderuar që udhëhoqi delegacionin amerikan, në Kosovë.

“Kosova është një partner i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe mbështetja jonë do të vazhdojë”, tha Senatori Inhofe.