Ambasada Amerikane ka reaguar për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri të cilët po ngrenë dyshime se do të ketë probleme dhe do të zgjasin trazirat pas së dielës, përcjell Insajderi.
“Në zgjedhjet e kaluara janë parë incidente të lokalizuara të dhunës ndaj zyrtarëve që merren me zgjedhjet, kryesisht atyre të lidhur me partitë politike dhe materialet e votimit. Kjo krijon perspektivë për dhunë të mundshme ose trazira të tjera të dielën e 25 Prillit, ose në ditët pas votimit”, thuhet në njoftimin e ambasadës, njofton Euronews Albania.
Ambasada po ashtu në njoftim ka folur edhe për mundësinë e përhapjes së protestave në disa zona, pa përmendur asnjë qytet konkret.
“Demonstratat në një qytet kanë potencialin për të shkaktuar tubime shtesë në zona të tjera përreth vendit. Për më tepër, trafiku në zonën e Ambasadës ose rreth qendrave të qyteteve të mëdha mund të preket nga tubimet ose protestat, duke shkaktuar mbingarkesë ose vonesa”, thuhet tutje në deklaratë.
Kështu pritshmëria për procesin elektoral në Shqipëri, thuhet të jetë disa-ditore pasi numërimi i votave të dielën në qendrat e numërimit dhe në disa bashki mund të zgjasë deri në disa ditë.
Ashtu si në të gjitha njoftimet për shtetasit e saj para protestave, ambasada i këshillon ata të mbajnë profil të ulët, të qëndrojnë larg grumbullimeve apo vendeve ku mund të ketë dhunë./Insajderi.com