Austria kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor

Austria kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor

Shefi i diplomacisë austriake, Alexander Schellenberg, ka thënë se Austria është kundër ndryshimit të  kufijve ekzistues në Ballkanin Perëndimor, njofton Insajderi.

Schellenberg, deklaroi se çështja e kufirit duhet të jetë sekondare dhe se rëndësi duhet t’i jepet zhvillimit të Evropës.

“Austria angazhohet për paprekshmëri të kufijve në mbarë Evropën. Mbi të gjitha, ne duhet të punojmë në integrimin e mëtejmë të Evropës, me qëllim që rëndësia e kufijve të jetë një çështje sekondare”, theksoi ministri austriak.

Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme gatishmëria e të dyja palëve për zgjidhje të problemeve në dialog dhe se  marrëveshja Kosovë-Serbi është e domosdoshme që të dy vendet të bëhen pjesë e BE-së.

“Çfarë na duhet, është gatishmëri e sinqertë nga të dyja palët për të punuar të mënyrë konstruktive drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse e cila i adreson të gjitha çështjet e hapura. Bashkimi Evropian ka përsëritur në vazhdimësi se parakusht për anëtarësim në BE është zgjidhja e të gjitha çështjeve të hapura në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese”, ka thënë shefi i diplomacisë austriake për Koha.net.

Schallenberg shtoi se Austria është shumë e lumtur se ka ndihmuar Kosovën në sigurimin e vaksinave në kuadër të programit ndërkombëtar COVAX.

“Kemi pranuar menjëherë dhe me shumë kënaqësi, kur Komisioni Evropian ka lutur Austrinë të lehtësoj shpërndarjen e vaksinave në rajon. Krahas kontributit të Austrisë në kuadër të COVAX, iniciativës globale për sigurimin e qasjes universale dhe të barabartë në vaksina – ky angazhim është një shenjë tjetër e solidaritetit tonë dhe miqësisë së thellë me fqinjët tanë të Ballkanit Perëndimor”, shtoi diplomati austriak.

Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, shefi i diplomacisë, tha se është pro që kosovarët të lëvizin lirshëm dhe që kjo të ndodhë duhet vendimi i shumicës së këshillit të Ministrave në Bashkimin Evropian.

“E kuptoj plotësisht frustrimin e qytetarëve të Kosovës për këtë çështje. Sa i përket Austrisë, mbështetjen për liberalizimin e vizave e kemi të theksuar enkas në programin aktual të Qeverisë. Mirëpo, nuk mjafton që vetëm Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian të pajtohen me këtë, duhet po ashtu edhe pëlqimi i shumicës së këshillit të Ministrave të BE-së. Prandaj, përderisa ka ende hezitim nga disa shtete anëtare të BE-së, kërkesa ime për Kosovën është të mundohen shumë t’ua dëshmojnë atyre të kundërtën”, ka potencuar ai. /Insajderi.com