Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, nesër do të vizitojë disa qendra të votimit në Kosovë, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen të dielën e 14-shkurtit, njofton Insajderi.
Sipas njoftimit për media, bëhet e ditur se në agjendën e vizitës do të jetë qendra e votimit në shkollën fillore “Dardania”.
“Shefi i Zyrës së BE në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Ambasadori Tomash Sunjog (Tomáš Szunyog), do t’i vizitojë disa qendra të votimit në Kosovë gjatë ditës së zgjedhjeve, të dielën më 14 shkurt 2021, duke përfshirë edhe vizitën e mëposhtme: 10:00 Prishtinë, Qendra e votimit në shkollën fillore ‘Dardania”, thuhet në njoftimin e dërguar për media.
Më 14 shkurt pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale në vend, si pasojë e rrëzimit të Qeverisë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në gjysmën e dytë të dhjetorit të kaluar për votën e pavlefshme të ish-deputetit të dënuar, Etem Arifi. /Insajderi.com