Shefi i hetimeve të vrasjeve në Pejë kërkon 12 mijë euro nga avokati – mbahet seanca përgatitore

Shefi i hetimeve të vrasjeve në Pejë kërkon 12 mijë euro nga avokati – mbahet seanca përgatitore

Në Gjykatën Themelore në Pejë, edhe një herë tjetër, është mbajtur seanca përgatitore në rastin ku shefi i hetimeve të vrasjeve në Policinë e Pejës, Riza Mahaj, ka ushtruar padi ndaj avokatit Haxhi Çekaj, me pretendimin se ky i fundit ka shpifur ndaj tij.

Në seancën e së hënës, gjykatësi Veton Ademaj nxori aktvendim me të cilin i revokoi të gjitha veprimet e ndërmarra në seancën përgatitore të mbajtur më 9 korrik të këtij viti, me arsyetimin se në të njëjtën kishte munguar i akuzuari Çekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Ademaj konstatoi se i padituri Çekaj, me 5 korrik 2019, kishte dorëzuar në gjykatë parashtresë me të cilën ka kërkuar shtyrjen e seancës së 9 korrikut, por një parashtresë e tillë nuk ishte dorëzuar me kohë tek ai por gabimisht tek një gjyqtare tjetër.

Në këto rrethana, ai i ftoi palët të deklarohen përsëri rreth padisë dhe përgjigjes së saj.

Paditësi Mahaj, i cili po kërkon kompensimin e dëmit në vlerë 12 mijë euro, deklaroi se asnjëherë nuk është takuar me avokatin Haxhi Çekaj.

Sipas tij, veprimet e të paditurit paraqesin shpifje, fyerje dhe humbje të reputacionit ndaj tij, andaj ai e ka kërkuar kompensimin e dëmit të theksuar në padi.

Lidhur pretendimet e paditësit, i padituri Çekaj është deklaruar se e kundërshton në tërësi padinë duke shtuar se pretendimet e theksuara në të nuk qëndrojnë.

“Konsideroj se pretendimet e paditësit për çështjen konkrete janë tërësisht të pa bazuara, ngase nuk mund ta kontestoj faktin se është një e vërtetë që emrin e Riza Mahaj e kam përmendur, por e kam thënë një të vërtetë që ka qenë atëherë dhe është sot, që ky person është shef i hetimeve rajonale për krime të rënda, dhe historia e kësaj aventure të Mirejta Imeraj do të zbardhet, sepse e kanë zbardhur edhe të tjerët në proces’’, ka thënë i padituri Çekaj.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me 18 shtator 2019, në ora 13:30,  gjatë së cilës rreshteri Zijadin Isaku pritet të dëgjohet si dëshmitar.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë më 11 prill 2017,  me të cilën pretendon se Çekaj, nga e dëmtuara Mirjeta Imeraj kishte marr para për ta mbrojtur babanë e saj, Nimon Berisha.

Çekaj akuzohet se duke mbrojtur Nimon Berishën në një rast për “vrasje të rëndë” që kishte ndodhur në Pejë në vitin 2014, si avokat i tij kishte mashtruar të njëjtin duke i marrë shuma të ndryshme të parave në emër të shpenzimeve të mbrojtjes.

Nga përgjimet e këtyre bisedave, paditësi pretendon se ishte dëgjuar avokati Çekaj, duke i thënë Mirjeta Imerajt, se tani paditësi Mahaj, i ka marr dy mijë euro, me qëllim që të shkojë në Turqi për të marrë disa prova në laborator, të cilat ishin dërguar për ekzaminim.

Duke pretenduar se këto deklarime të të akuzuarit Çekaj, janë shpifje, Mahaj, ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë, duke kërkuar kompensim dëmi në shumë prej 12 mijë eurosh

Ai po pretendon se më 21 shkurt 2017, është ftuar në intervistë në Njësitin e Hetimeve Speciale në Prishtinë, Departamenti Special Antikorrupsion, për çka është intervistuar nga rreshteri Zijani Isaku dhe Kimete Gjikolli.

Në padi thuhet që gjatë intervistës, paditësi është njoftuar se gjatë përgjimeve lidhur me arrestimin e avokatit Haxhi Çekaj, kishte rezultuar se ai i kishte thënë në telefon Mirjeta Imerit, vajzës së të pandehurit për vrasje Nimon Berisha, se këtu paditësit Mahaj, kishte për t’ia dorëzuar shumën prej dy mijë euro, me qëllim që ta dërgojë një CD, për pastrim jashtë vendit.

Andaj, sipas padisë, i padituri Haxhi Çekaj, duke e shfrytëzuar pozitën e këtu paditësit, e ka bërë publikimin e një fakti të pavërtetë, kinse është i vërtetë, me ç’ rast ia ka dëmtuar këtu paditësit reputacionin, punën dhe personalitetin.

Në bazë të këtyre pretendimeve, paditësi Riza Mahaj, kërkon nga Haxhi Çekaj që në emër të dëmit jo material, atij t’ia kompensojë shumën prej 12 mijë euro.