Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka pritur sot në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, transmeton Insajderi.
Wigemark ka thënë se e vlerëson punën e Prokurorisë Speciale, përfshirë ri-organizimin e fundit të PSRK, duke thënë se Misioni që ai drejton brenda mandatit të tij do të vazhdojë të mbështesë prokurorinë në promovimin dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.
Madje ai shtoi se bashkëpunimi midis Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës është thelbësor në hapat e mëtejshëm për të forcuar koordinimin midis zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit në drejtim të shkëmbimit të informatave, të cilat janë gjithmonë të mirëseardhur.
Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se “kryeprokurori Blerim Isufaj, e ka njoftuar shefin e EULEX-it, Wigemark, me punën, të arriturat, sfidat dhe objektivat e Prokurorisë Speciale, duke theksuar se nga ardhja e tij në krye të këtij institucioni, përpos Departamentit për Krime Lufte që ka ekzistuar, ka themeluar edhe Departamentin për Krim të Organizuar dhe krime tjera në kompetencë të PSRK, Departamentin për Terrorizëm dhe Departamentin për Korrupsion dhe Krim Financiar, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit në kryerjen e lëndëve nga prokurorët, si dhe ka caktuar prokurorët për secilin department”. /Insajderi.com