Shefi i stafit të presidentes Osmani: S’ka pasur përplasje me Borellin

Shefi i stafit të presidentes Osmani: S’ka pasur përplasje me Borellin

Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mohuar se mes kësaj të fundit dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evoprian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka pasur përplasje, transmeton Insajderi.

Ai u shpreh se Osmani në Turqika bërë një prezantim të sfidave dhe se cilat janë ato brenga që Kosova ka hasur gjatë pandemisë.

“Në këtë diskutim, Osmani ka folur për çështjen e ndarjes së vaksinave dhe nuk është hera e parë që e ka ngritur. Sidomos në Prishtinë gjatë muajve prill e maj, ajo në secilin takim me përfaqësues të vendeve evropiane e nga ngritur shqetësimin se si po ndahen vaksinat e mekanizmit Covax, se nuk kemi përfituar mjaftueshëm, duke pasur parasysh numrin e infektimeve, personelit shëndetësor, etj”.

“Çështja e brengave e kritikave që janë ngritur gjatë këtij diskutimi filloi nga përfaqësuesi i Kenias. Më pas ne prej anës sonë, pra Zonja Osmani e ka ngritur shqetësimin për sa i përket kritereve që janë përdorur për ndarjen e vaksinave dhe si t’i adresojmë këto sfida. Në fjalimin e saj ajo po ashtu edhe e ka falënderuar Bashkimin Evropian për ndihmat ndaj nesh”, ka deklaruar Vela.

Insajderi të premten ka raportuar se shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, ka replikuar me presidenten  Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit u shpreh e pakënaqur lidhur me shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19 nga program COVAX. Në Forumin e Diplomacisë në Antalia të Turqisë, Osmani është shprehur se gjatë shpërndarjes ka pasur padrejtësi./Insajderi.com