Shefja e EULEX-it asnjë takim zyrtar me kryeprokurorin e Shtetit

Shefja e EULEX-it asnjë takim zyrtar me kryeprokurorin e Shtetit

Prej se ka marrë detyrën zyrtare një vit më parë si shefe e EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulou ka vizituar të gjithë përfaqësuesit politikë të vendit. Mes tyre edhe presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin, Kadri Veselit të cilët janë subjekt i hetimeve ndërkombëtare.

Por, shefja e misionit të BE-së për sundim të ligjit nuk ia ka hapur derën asnjëherë njeriut kryesor që ka për detyrë luftimin e krimit.

Papadopoulou kurrë nuk e ka pritur në zyrë dhe nuk e ka vizituar kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin.

Të vetmet takime që ka pasur më të janë tryezat e ndryshme të organizuara kryesisht nga shoqëria civile.

Në Prokurorinë e Shtetit nuk e dinë pse nuk ka ndodhur një takim i tillë, ndërsa në EULEX kanë refuzuar të japin arsye për këtë.

Zëdhënësja e misionit të EULEX-it, Dragana Nikoliç Solomon ka thënë se Papadopoulou dhe Lumezi kanë pasur takime të ndryshme.

“Kryeprokurori Aleksandër Lumezi  takohet rregullisht me përfaqësuesit dhe ekspertët gjyqësor nga misioni i EULEX-it. Ai gjithashtu është takuar në shumë raste edhe me shefen e misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou”, ka thënë për Insajderin Nikoliç Solomon, duke mos u përgjigjur konkretisht.

Alexandra Papadopoulou, ka mandat si shefe e EULEX-it deri në qershor të vitit 2018. Muaj më parë ajo ka emëruar gjyqtarët e Gjykatës Speciale në Hagë./Insajderi.com