Shefja e Zyrës së BE-së: Kurti dhe Mustafa ta dëgjojnë zërin e votuesve të 6 tetorit

Shefja e Zyrës së BE-së: Kurti dhe Mustafa ta dëgjojnë zërin e votuesve të 6 tetorit

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, ka folur për takimin e 28 janarit me krerët e LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Ajo ka sqaruar se fillimisht kishin pranuar ftesë nga kreu i VV-së, Albin Kurti, e më pas edhe nga Isa Mustafa.

Shefja e BE-së në Kosovë edhe një herë ka theksuar se në atë takim nuk kanë shkuar për të ndërmjetësuar në negociata, por vetëm për të dëgjuar diskutimet e palëve rreth përpjekjeve për koalicion.

Apostolova ka thënë se politikanët në Kosovë duhet të dëgjojnë zërin e qytetarëve, dhe të vendosin interesat e popullit mbi interesin partiak.

“Me të vërtetë dje disa prej ambasadorëve në Kosovë përfshirë edhe veten kemi pranuar ftesa nga dy liderët e partisë. Fillimisht Albin Kurti, ndërkohë më vonë kemi pranuar gjithashtu ftesë nga Isa Mustafa, për të observuar negociatat e dy partive. Ne e kemi bërë këtë me kolegët e mi. Ne nuk jemi duke ndërmjetësuar, dua ta bëjë këtë të qartë. Këtë qëndrim e keni parë edhe nga ambasadorët e QUINT-it, ne nuk e kemi këtë rol”.

“Ne nuk duam të përfshihemi në krijimin e qeverisë, ne nuk e kemi këtë të drejtë. Por ajo çfarë po bëjmë,  është që po e bëjmë punën tonë. Ne jemi ambasador dhe jemi të obliguar të pranojmë çdo ftesë që marrim. Ne ishim atje, i pranuam diskutimet ndërmjet dy palëve”.

“Çfarë mund të them për dy partitë është që të dëgjojnë zërin e kosovarëve. Ata votuan më 6 tetor. Krijimi i Qeverisë po merr shumë kohë, dhe mesazhi im është që secili politikan në këtë vend është të marrë përgjegjësi dhe të mendojnë për popullin e Kosovës dhe interesin e popullit përpara interesit partiak”, ka potencuar ajo.

Kurti dhe Mustafa ende nuk kanë arritur të dakordohen për marrëveshjen e bashkëqeverisjes. Ndonjë takim ndërmjet tyre nuk është paralajmëruar as sot, ndërsa të mandatuarit për kryeministër i kanë mbetur edhe katër ditë për krijimin e qeverisë.