Shemben ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti, Veliaj: Të përgatitur për këdo që ka nevojë

Shemben ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti, Veliaj: Të përgatitur për këdo që ka nevojë

Pas akt-konstatimit të Institutit të Ndërtimit, i cili i shpalli të pabanueshme tre godinat në “Qytetin Studenti” si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, vijoi puna me shembjen e tyre. Familjet që i kishin zaptuar gjatë viteve të tranzicionit, janë sistemuar në banesa me bonus qiraje, si të gjitha familjet e tjera të prekura nga tërmeti.
Teksa ndoqi nga afër shembjen e godinave, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi të drejtë vendimin për t’i larguar banorët nga dhomat e ish-godinave të “Qytetit Studenti”, të cilat përbënin rrezik për jetën e tyre dhe sisteminin në banesa me bonus qiraje me kushte dinjitoze.

“Kanë qenë godina të zëna prej vitesh, që nga viti ‘90-‘91, kur filluan ndryshimet në “Qytetin Studenti”, pra një gangrenë që vazhdonte një kohë të gjatë. Godina ka pasur shumë ndërhyrje, improvizime. Ndaj, besoj ishte vendimi drejtë për t’i çmontuar vetë dhe besoj se ishte vendim akoma më i drejtë për t’í transferuar me qira të gjitha familjet, duke respektuar dinjitetin njerëzor, si të çdo anëtari tjetër të bashkësisë së Tiranës.