Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka ironizuar me veprimet e Policisë së Kosovës, pasi kjo e fundi e pengoi aksionin e kësaj partie para objektit të Kuvendit, ku pati edhe përleshje mes zyrtarëve policorë dhe aktivistëve, njofton Insajderi.
Sipas tij, shenjat e kapjes së presidencës po pasohen me shenjat e para të kapjes së policisë, ende pa ardhur në pushtet.
Ai përmes një postimi në Facebook tha se polici që i rrah të rinjtë në stacione, i mbron me armë të gjata liderët e partive në takime me qytetarë.
Ky reagim i Krasniqit vjen pasi kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, vizitoi të hënën qytetin e Skenderajt në prag të zgjedhjeve, ku i shoqëruar ishte me njësitë policore.
“Polici që i dënon qytetarët për një maskë. Kurse i mbron partitë që bëjnë tubime ilegale; polici që pengon e dhunon aktivistët politikë paqësorë, sepse lideri suprem në ardhje po u preket. Shenjat e kapjes së presidencës, po pasohen me shenjat e para të kapjes së policisë. Ende pa ardhur në pushtet”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook./Insajderi.com