Shënohen shifra rekorde të importit të veturave të vjetra

Shënohen shifra rekorde të importit të veturave të vjetra

Kanë mbetur edhe katër muaj para hyrjes në fuqi të ligjit për kufizim të importit të automjeteve deri në 10 vjet të vjetra, ku ka nisur një dyndje e madhe e importit të automjeteve të përdorura.

Të dhënat e deritanishme flasin për një rritje të madhe të importit të këtyre automjeteve të përdorura, në krahasim me periudhën e njëjtë të viteve të kaluara.

Nga janari e deri më sot në Kosovë janë importuar 17 000 mijë vetura të përdorura, ku me këtë rast në buxhetin e shtetit janë derdhur plot 18 milion euro.

Zëdhënësi i Doganës Adriatik Stavileci, në një prononcim për Indeksonline ka treguar se për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit për ndalimin e importit të veturave më të vjetra se 10 vite, në muajt e parë të këtij viti është parë një rritje e këtij importi.

“Numri i automjeteve të përdorura deri më tani është afër 17000 mijë copë, deri sa vlera e tyre është rreth 80 milion euro. Gjatë muajve të fundit kemi parë një tendencë rritje të importit të veturave të përdorura”, ka thënë ai.

Ndërkaq sa i përket brendeve më të preferuara nga kosovarët, dominojnë veturat e kompanive gjermane me mbi 60 %.

“Sa i përket brendeve të importit të automjeteve dominojnë brendet gjermane me mbi 60 % të tregut ku edhe tek brendet gjermane prin Volswagen me rreth 40% të të gjitha automjeteve, pastaj është Opel, Mercedes dhe BMW”, ka përfunduar Stavileci.