Sherifi e quan “ofertë për kapje” letrën e kryetares së Kushtetueses ndaj Kurtit

Sherifi e quan “ofertë për kapje” letrën e kryetares së Kushtetueses ndaj Kurtit

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, e ka quajtur “vet-ofrim për kapje” letër-urimin që kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, ia ka dërguar të premten liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas zgjedhjes në postin e kryeministrit, përcjell Insajderi.

Sipas tij, “shkapja e institucioneve të drejtësisë është në fazën e transferimeve”, teksa reagimit ia ka bashkëngjitur edhe letër-urimin e Rama-Hajrizit ndaj Kurtit.

“Shkapja e institucioneve të drejtësisë është në fazën e transferimeve: pas përfundimit të kohës së kapjes së tyre, nga sot ka filluar koha e vet-ofrimeve për kapje!”, ka shkruar Sherifi në profilin e tij në Facebook.

Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka deklaruar se letër-urimet dërguar udhëheqësve shtetërorë, kur ata marrin detyrën, janë standard.

Nga ky institucion janë shprehur se një praktikë e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen./Insajderi.com