
Bilall Sherifi, shefi i Grupit Parlamentar të NISMA Socialdemokrate ka mohuar lajmet se kjo parti ka diskutuar mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe braktisjen e koalicionit qeveritar.
Sherifi për Kallxo.com ka thënë se në asnjë mbledhje të partisë nuk është diskutuar kjo çështje dhe se lajmi që po qarkullon në media është i pasaktë.
“Në strukturat formale dhe në Grupin Parlamentar të Nismës nuk është diskutuar një gjë e tillë. Lajmi është i pasaktë se në organet e Nismës, në kryesi apo Grup Parlamentar është diskutuar për mundësinë e daljes nga qeveria”, tha Sherifi.
I pyetur për mendimin e tij për daljen nga kriza, Sherifi tha se këto janë çështje që nuk i thotë në publik para se t’i thotë në organe të partisë.
“Unë jam i disiplinuar mendimet e mija i shprehi brenda organeve pastaj nëse nuk gjej mbështetje brenda organeve mund të dal jashtë para publikut”, përfundoi Sherifi.
Ndryshe gjatë ditës së sotme ka qarkulluar lajmi se në mbledhjen e fundit të Nismës është diskutuar mundësia e braktisjes së koalicionit qeverisës dhe mundësia për zgjedhje të parakohshme.