Festa e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës po afrohet. Dhe pikërisht për këtë ditë të rëndësishme, janë menduar disa risi për ta shënuar këtë ditë.
Sheshet e Prishtinës do të kenë aktivitete të ndryshme. Një ndër to do ta organizojë edhe KOK-u.
Komiteti Olimpik i Kosovës do të “pushtojë” sheshin kryesor të Prishtinës, me aktivitete, të cilat mbahen në muajin shkurt dhe që lidhen edhe me 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Që nga 9-25 shkurt, KOK-u do të organizojë Festivalin Olimpik PyeongChang2018 në Prishtinë, ku për gjatë 16 ditëve sa do të zgjasin Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang2018, në sheshin “Zahir Pajaziti” do të promovohen sporte të reja. Me këtë rast, KOK-u bëhet i nënti Komitet Olimpik që fiton organizimin e një Festivali të tillë, bazuar në pilot projektin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
KOK-u do të sjell fushën me akull sintetik, përmes së cilës qytetarët, posaçërisht fëmijët do të praktikojnë sportet e hokejit, patinazhit dhe karlingut, nën mbikëqyrjen e ekspertëve të kësaj fushe.
Krahas kësaj, të pranishmit do të mund të ndjekin në një ekran të madh drejtpërdrejt LOD PyeongChang 2018, si dhe ceremoninë hapëse dhe mbyllëse, në të cilën për herë të parë do të defilojë edhe ekipi olimpik i Kosovës.
Në të njëjtën kohë, por më 12 shkurt, KOK-u do të kontribuojë direkt edhe në shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke organizuar edicionin e katërt të Panairit të Sportit 2018, i cili do të mbahet në sheshin kryesor të Prishtinës.
Në Panair pritet të defilojnë klube të shumta të kryeqytetit, derisa fëmijët e shkollave fillore do të kenë rastin të mësojnë ABC-në e sportit të tyre të preferuar.
KOK-u fton të gjithë qytetarët e Kosovës të bëhen pjesë e këtyre dy projekteve, për të shënuar edhe 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.