Mërgim Lushtaku nëse asnjë ditë nuk shkon në Kuvendin e Kosovës, deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm, në llogari bankare do ti dalin nga 1,488 euro çdo muaj. Njëjtë do të ndodhë me të gjithë 120 deputetët që të enjten dhanë betimin në legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Kosovës.
Ata në bazë të ligjit, gëzojnë të gjitha detyrat dhe privilegjet e të qenit në këtë post.
“Në bazë të legjislacionit në fuqi, përkundër kushteve të rënda socio-ekonomike të një pjese të konsiderueshme të qytetarëve, deputetët gëzojnë beneficione të shumta materiale. Fillimisht, për pozitën e deputetit, deputetët gëzojnë pagë prej 1,488 eurosh. Për pjesëmarrje në seanca, deputetët marrin rreth 200 euro në muaj”, tregon Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).
Po ashtu, sipas tij deputetët do të gëzojnë edhe beneficione tjera, si për shembull, shpenzimet e derivateve, shpenzimet e komunikimit dhe beneficione tjera.
“Pra, deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës, që nga dje, do të fillojnë të kenë të gjitha privilegjit dhe të marrin të gjitha beneficionet që parashihen me Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit”, thotë Cakolli.
Ndërkaq, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi ka sqaruar se deri në zgjedhjen e kryetarit dhe themelimin e institucioneve qeverisëse deputetët do të marrin vetëm një mëditje, e cila është 120 euro, pasi llogaritet një seancë pavarësisht ndërprerjeve.
Kadri Veseli do të marrë afro 2 000 euro, pasi të lë Kuvendin
Përveç benificioneve sa janë në Kuvend, disa nga të zgjedhurit e popullit do të përfitojnë edhe nëse nuk mbesin deputet.
Me ligjin për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë, që është në fuqi që nga viti 2008 Kadri Veseli, edhe nëse nuk arrin ti siguroi votat për postin e kryetarit të Kuvendit do të marr 1889 euro çdo muaj, gjatë gjithë jetës.
Si ish-zyrtar i lartë atij dhe katër udhëheqësve tjerë të shtetit u takon 70 për qind e pagës që kanë pasur nëse vetëm gjashtë muaj kanë qenë në pozitë të lartë shtetërore.
Bazuar në pagën bazë, të cilën e merr edhe kryeparlamentari i tanishëm, Kadri Veseli, rreth 2,700 euro, pas mandatit në Kuvendin e Kosovës, ai do të paguhet nga shteti 1889 euro, si dhe do të gëzoj privilegjet tjera ligjore.
Në nenin 3.3 të këtij ligji tregohet se një përfitim i tillë nuk paguhet nëse ish Zyrtari i Lartë ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti Konsoliduar i Kosovës dhe për të cilin është përcaktuar një pagë e barabartë ose më e lartë se paga që ka marrë gjatë ushtrimit të funksionit në krye të Institucionit Përgjegjës.
Kjo nënkupton se ata mund të përfitojnë 70 për qind të pagës që kanë pasur, edhe nëse angazhohen në ndonjë institucion publikë vetëm me pagë më të ultë.
Deputetëve do t’u rriten mëditjet
Nëse miratohet një nismë e Qeverisë së Kosovës, e fillimit të këtij viti, sa herë që deputetët e Kuvendit të Kosovës shkojnë në seancë planifikohet të marrin nga 297 euro, përveç pagës bazë, që është shumëfish më e lartë se e shumicës së qytetarëve të Kosovës.
Në projekt-ligjin për pagat që ka kaluar në Qeveri synohet t’u dyfishohen mëditjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, rritje prej 20 për qind të pagës bazë është propozuar si në rastin e mëditjeve për seanca parlamentare dhe ato për mbledhjet e komisioneve.
Nëse projektligji miratohet në formën aktuale, atëherë një deputetë i Kuvendit të Kosovës do të marrë mëditje 297 euro për pjesëmarrje në seancë parlamentare dhe po kaq për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve.
Llogaritur edhe me pagën bazë prej 1488 euro dhe mesataren prej dy seancave në muaj, me këtë projektligj një deputetë do t’i marr gjithsej 2 mijë e 88 euro në muaj, pa përfshirë këtu kompensimet seancat e jashtëzakonshme dhe ato për mbledhjet e komisioneve parlamentare, me të cilat të hyrat e deputetit mund të kalojnë deri në 3 mijë euro për muaj.
Kjo është dyfish më shumë sesa shuma që deputetët kanë marrë me vendimin e deritanishëm të Kryesisë së Kuvendit nr. 03-V-243 për kompensime mujore.
Me këtë vendim për një seancë parlamentare një deputetë ka marr mëditje në vlerë prej 120 euro, derisa 80 euro tjera për një mbledhje të komisionit.
Përveç kësaj parashihet kompensimi për shpenzimet e udhëtimit për pjesëmarrje të deputetëve në punimet e seancave plenare dhe në komisione nga 10 euro deri në 30 kilometra, kurse nga 20 euro deri në 60 kilometra dhe 30 euro më shumë se 60 kilometra./Gazeta Fjala/