ShIKomedia dhe e vërteta që rrezikon të varroset me Kadri Veselin

Më shumë se sa një dekonspirim i anëtarëve të shërbimit kontrovers të Kadri Veselit, ajo se çka po ndodh në Kuvendin e Kosovës është një përplasje e ‘ishave’ adoleshentë që akuzojnë njëri-tjetrin se nuk ishte i/e mirë në seks. Është një komedi derisa të dy palët paguhen me taksat tona

ShIKomedia dhe e vërteta që rrezikon të varroset me Kadri Veselin

Kadri Veseli kishte veç pak muaj sa kishte hyrë në politikë. Me Organizatën “Çohu!”  po e bënim një hulumtim për maskarallëqet që kishte bërë qeverisja e LDK-së, në veçanti ajo e Isa Mustafës në Prishtinë. “Isa n’Fron!” ishte titulli që doli nga hulumtimi. Na duhej ta dinim më shumë edhe se si Kadri Veseli, njeriu misterioz që doli nga nëntoka për ta kapur kreun e PDK-së jetonte në një banesë luksoze në qendër të kryeqytetit, kompleks i njohur ky si ‘banesat e gjeneralëve’.

Pas shumë komunikimeve me të përmes e-malit të tij ‘operaime@…’ arritëm që ta bindnim për një intervistë. Pa diktafon e pa kamera. Veç me një fletore e një kimik. Një veprim ky tipike prej agjenti.

Ai e miratoi më vonë intervistën. Gjithçka që tha, pos fjalëve të rënda që kishte thënë kundër Jakup Krasniqit. Intervista është publikuar më 9 janar 2013. “Nuk ka pasur dokumente, por informacione”, më tha Veseli dhe shtoi se “ato janë këtu”, duke e drejtuar gishtin në kokën e tij, kur e pyeta se a posedon dokumente të arkivuara SHIK-u.

Njëzetë vite më vonë krejt historia e SHIK-ut, qëështë dashur të hetohet për veprimet e dyshimta,është kthyer në një komedi në Kuvendin e Kosovës nga deputetë që marrin mëditje të majme nga taksat tona. Mëditjet i marrin për të damkosur njëri-tjetrin dhe ato janë shumë më të mëdha se sa pagat mujore që merrnin oficeret e SHIK-ut për një muaj.

E më shumë se sa komedi, ajo se çka po bën Dardan Molliqaj me Glauk Konjufcën është një zënkë adoleshentësh, kur dy ish-dashnor pas ndarjes akuzojnë njëri-tjetrin që nuk ishte i/e mirë në seks. Që gërhiste natën. Që fliste shumë me ‘mamin’ në telefon.

Ta marrim si të vërtetë që Glauk Konjufca ishte në SHIK. Që punonte te analiza e informacionit. Që paguhej 150 DM në muaj. Cili ishte dëmi? Sa i shërbeu më vonë Glauk Konjufca SHIK-ut?

Janë edhe plotë pyetje qësecili i ka në mendje, por përgjigjet do të jenë krejt hipotetike. Histori interesante për novela fiktive me shërbime sekrete. Kjo pasi që ShIK-u nuk mbante dokumente të mirëfillta.

Por edhe për shumë vite kërkime ishte e zorshme të lidheshin krejt këto veprime me ShIK-unqë i kishte zyrat aty ku tash funksionon Organi Shqyrtues i Prokurimit- gjykata e tenderëve. Edhe më e zorshme ishte që te lidheshin këto krime direkt me Kadri Veselin. “Nuk e njoh. Nuk e kam taku kurrë”, thoshte Bllaca për Veselin.

Ishte e zorshme të lidheshin këto krime pasi që krejt çka dilte në hulumtim ishin informacione që elementë të LDK-së i kishin dhënë inteligjencës së KFOR-it. Atyre njësive që ndërrohen çdo gjashtë muaj. Totoleshit të hutuar në një ambient ku njerëzit “off the record’ thonë gjithçka, por nuk dëshmojnë në gjyq. Ishin veç informacione që ishin përtypur nga zyrtarët ‘pacifistë’ te KFOR-i, dhe prej atje ishin ri-publikuar në gazetat e afërta me këtë parti, dhe pastaj prej atyre gazetave ishin ri-futur në raportet e KFOR-t përsëri. Një cikël rrethor ku tentohet të konfirmohet një informacion duke e përtypur nëgojën e personazheve që janë krijuar në një vend.

Azem Syla është një i çmendur me letra të Zvicrës. Fahredin Gashi-Faruku është një i vetëshpallur i çmendur. Shpresim Uka  pastaj është një histori e komplikuar me Beograd e PTK derisa nisën bombardimet e NATO-së në mars 1999. Shaban Syla në anën tjetër është veç një matrapaz pronash. Me krejt këto profile, si mund të ndërlidhet një organiza të spiunazhi me krimet e supozuara të tyre?

Ky element është përdorur shumë kohë më parë nga një njeri i mençur në shkretëtirë që krijoi kulturën islamike, Profeti Muhamed. Ai e perfeksionoi rrethin vicioz të argumentimit: Muhamedi thoshte që zoti ekziston dhe se ai i fliste. Zoti e krijoi Kur’anin që e konfirmonte ekzistimin e zotit, dhe legjitimonte Muhamedin si i dërguari i tij. E Kur’ani i konfirmonte që të dy, zotin e Muhamedin. Dhe në krejt këtë rreth edhe sot është e pamundur që të hyhet e të thuhet se asnjëri nga ta nuk ekziston. Por, ajo që mund të konfirmohet pa dyshim ishte veç Muhamedi dhe skoriet e tij. Perandoria që ai krijoi.

Dhe historia e njerëzve të PSD-së është njëjtë, me dallime në nuanca. Dardani thotë që Glauku ishte në ShIK, dhe Frashëri thotë se kjo është provë. Dhe historia lulohet me nuanca: ishte viti 2000-2001, merrte 150 DM, i vinin letra nga Presheva… Por, krejt ajo çka mund të provohet përtej dyshimit është që Dardani ekziston. Të tjerat mund të jenë të vërteta. Mund të jenë edhe pjellë e fantazisë. Një film me fund të hapur ku shikuesi e vendos se a vdiq personazhi kryesor. A u martuan dhe jetuan të lumtur.

Historia e ShIK-ut është e dyshimtë në tërësi. Në shumë raste është e errët. Edhe kriminale shpesh herë. Por, siç e kishte thënë Veseli në gjykimin e Nazim Bllacës dhe grupit të tij “ai nuk ishte Luli, dhe ShIK-u ishte tjetër”.

Por, më e dëmshme se veprimtaria e ShIK-ut është veprimi i gjeneratës së re për ta sjell në situatë komike gjithçka për këtë organizatë. ShIK-u dhe organizatat tjera të spiunazhit të partive kosovare duhet të hetohen me seriozitet. Dosjet e tyre të sillen para drejtësisë e më vonë edhe para publikut.

Ajo që dihet deri tash është që ShIK-u as nuk ishte aq kriminal sa e paraqiste Bllaca i furnizuar me informacione nga “Adriatiku”. As aq patriotik sa e përshkruan Veseli. Por, assesi aq komik sa e përshkruan Dardan Molliqaj.

Për të mirën e publikut do të ishte që historia e kësaj organizate të zbardhet. Me këtë diskurs për të kjo histori rrezikon të varroset bashkë me Kadri Veselin.